Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar për operacionin antidrogë në Skrapar që u përmbyll me 23 masa sigurie ng GJKKO për funksionarë publikë, policë dhe të implikuar në kultivim.
Çuçi thotë se operacioni u shtri në kohë në të gjitha hallkat e zinxhirit teksa thekson se është ndjekur në mënyrë profesionale nga Policia.
Ai shpreh bindjen si Ministër i Brendshëm për të goditur çdokën që tenton të përfshihet në paligjshmëri dhe për t’i përballur me drejtësinë.
STATUSI NGA BLEDI ÇUÇI
Është përmbyllur sot një operacion i rëndësishëm për goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit në vend. Ky hetim i iniciuar nga SHÇBA dhe i ndjekur në mënyrë profesionale nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë dhe nën drejtimin e SPAK, u finalizua me ekzekutimin e 23 vendimeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.
Përgëzime për strukturat e angazhuara në këtë mega-operacion, të shtrirë në kohë dhe në gjithë hallkat e zinxhirit, nga kultivuesit e bimëve narkotike, autoritetet lokale e deri tek zyrtarët e Policisë së Shtetit, që duke shpërdoruar detyrën u bënë palë në këtë aktivitet kriminal.
Shpreh bindjen dhe angazhimin e Ministrisë së Brendshme, për thellimin dhe shtrirjen e hetimeve gjithëpërfshirëse, për të goditur çdokënd që do të tentojë të përfshihet në paligjshmëri, duke i përballur ata me drejtësinë.
Vetëm kështu do të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt e më të mirë për të gjithë 🇦🇱