Opozita dhe mazhoranca bien dakord për herë të parë për këtë cështje

Vetingu në politikë bëri bashkë mazhorancën dhe opozitën për t’i hapur rrugë procesit brenda këtij sesioni parlamentar.

Në Kuvendin e Shqipërisë u mblodh sot Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, ku morën pjesë dhe deputetë të opozitës të përfaqësuar nga PD dhe LSI, duke i dhënë fund bojkotit të Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Legjislacionit u diskutua për kërkesën e PD-së për Vetingun në politikë, ku në fillim fjalën e kishin dy ekspertët, Artur Metani dhe Gazmend Bardhi dhanë mendimet analitike para anëtarëve të Komisionit.
Eksperti Artur Metani u shpreh se projektligji i Vetingut në politikë nuk është në përputhje me Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Në analizën e tij dorëzuar Këshillit, Metani shkruan se projektligji paraqet mangësi në drejtim të parashikimit në nivel kushtetues të mënyrës së zbatimit të procesit të garantimit të integritetit të funksionarit publik; kufizim të të drejtave themelore të subjekteve mbi të cilët parashikon të shtrijë efektet, pa respektuar parimin e proporcionalitetit; mundësi për dublim në mënyrë të papërshtatshme dhe pengim të zbatimit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme, Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, ILDKPKI-së, të institucioneve përgjegjëse që merren me procesin e dekriminalizimit.

Ndërkohë, Gazmend Bardhi, eksperti i PD tha se kufizimi me ligj i të drejtave të caktuara politike, është i pranueshëm nëse kufizon influenca qoftë kriminale.

“Masa e propozuar është e nevojshme dhe legjitime meqë Shqipëria aplikon sistemin zgjedhor të zgjedhjes së kandidatëve për deputete me lista të mbyllura.

Bardhi theksoi se qëllimi i kufizimeve ka në fokus mbrojtjen e institucioneve nga ndikimi i krimit të organizuar.

“Amendamenti kushtetues nuk parashikon organin që do bëjë verifikimin. Nënkuptohet se do ketë një organ ekzistues kushtetues. Organi që do bëjë verifikimin do caktohet me ligj. Jo çdo kontakt mund të konsiderohet i paligjshëm. Prandaj do të jetë ligji që do hartohet nëse miratohen ndryshimet, që do të përcaktojnë se cila do konsiderohen kontakte të papërshtatshme”, tha ai.

Në fjalën e tij, Ruçi u kërkoi anëtarëve të komisionit që Vetingu në politikë të kalojë brenda këtij sesioni parlamentar.

Ne i kemi bërë kërkesë Komisionit të Venecias tha Kryetari i Kuvendit, Ruçi, duke pohuar se në Kuvend ka mbërritur opinioni paraprak nga Komisioni i Venecias.

“Ka ardhur opinioni paraprak nga Venecia. Do t’ju dërgoj kopjen e draftit pranë grupeve politike”, tha ai.

Në fjalën e tij deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj tha se ne duhet të respektojmë kushtetutën.

“Amendamenti që kemi paraqitur në në maksimumin e vet duhet të miratohet brenda tetë javëve, futur segmentin e konsultimit publik dhe të ekspertëve jo më shpejtë dy ose tre jave. E kemi paraqitur, kemi kërkuar ta miratojmë. Ju kërkuat ta shtyni. E çuat në Venecia të gjitha kërkesat dhe tendencat për ta shtyrë në kalendar greke. Respektuam dhe mendimin e ekspertëve”.

Në fund, Alibej theksoi se “ne ua kemi dhënë zgjidhjen, kërkohet një orë e më parë të votohet”.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi tha se “PS dhe PD kanë propozuar emrat që do të dërgojnë. Nga Partia Socialiste do të shkojnë 4 deputetë, ndaj PD do të shkojnë 2 deputetë, ndërsa nga LSI do të shkojë 1 përfaqësues”.

Komisioni mbylli mbledhjen duke lënë të hapur njoftimin e datës tjetër kur do të finalizohet dhe Vetingu në politikë. /j.p/
TIRANË, 5 dhjetor /ATSH – I. Vata/

Loading...