Para një muaji, Oriela Nebijaj është betuar si deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë për Partinë Demokratike. E ftuar në emsionin “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, deputetja Nebijaj tregon se si e mori vendimin për të hyrë në politikë dhe për t’u shkëputur nga karriera televizive.
Blendi Fevziu: Pse një moderatore e cila ka kaluar një jetë jo të shkurtër në televizion dhe që është në kulmin e karrierës së saj, mbi të gjitha me një pagesë shumë herë më të lartë se ajo që merr në Parlament, vendos të lërë televizionin për të shkuar në sallën e Parlamentit?
Oriela Nebiaj: Ishte një moment i vështirë dhe mendova që pse jo të vijoja profesionin tim si moderatore dhe të vijoja karrierën time si gazetare, si producente, si autore në televizion. Ishte një gjë që më pëlqente ta bëja, por në fakt si vendimi më i vështirë i jetës sime, mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Ishte vendim i vështirë për situatën në të cilën vinte dhe për situatën politike që Parlamenti ka.
Blendi Fevziu: Kush ishte deçizivi për të ju bindur?
Oriela Nebiaj: Votat që mora dhe fakti që unë u mundova që të sillja një frymë ndryshe, unë u mundova të bëja një fushatë ndryshe. Jam një e re që dua që dua një politikë të re dhe ndryshe, dua që Parlamenti të jetë ndryshe, dua që alternativa për qytetarët të jetë ndryshe dhe prandaj vendosa që të jem aty.
Blendi Fevziu: A e pate dilemën që po braktis një profesion që ke më shumë se një dekadë e gjysmë që je e angazhuar?
Oriela Nebiaj: E pata, por pastaj mendova se edhe në fund të ditës dhe kolegia më dha mandatin, shkoi në media… Profesioni është i yti, nuk ta heq kush. E rëndësishme është të shkosh në politikë me një profesion, të mos shkosh me duar në xhep.
Marrë nga tvklan.al