Paketa e re fiskale, e cila do të fillojë aplikimin nga data 1 janar 2019 ul barrën fiskale për qytetarët dhe bizneset.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u shpreh sot në Komisionin e Ekonomisë gjatë prezantimit të projektligjeve të paketës fiskale se, 71 mijë subjekte ose 65% e sipërmarrjes do të paguajnë zero tatim fitimi.
Qëllimi i paketës fiskale, theksoi Ahmetaj është lehtësimi i kuadrit fiskal për të bërë biznes përmes procedurave të thjeshtëzuara. “Nga paketa fiskale përfitojnë mijëra biznese”, tha ai.
“Nga ulja e tatimit mbi fitimin vetëm 9% e sipërmarrjeve tatohen me normën 15%. 65% e sipërmarrjes e ka tatimin zero, pra 71 mijë subjekte do të paguajnë tatimin zero dhe vetëm 28 mijë subjektet e kanë tatimin 5%”. Pra 91% e sipërmarrjes e ka tatimin ose zero, ose 5%”, tha Ahmetaj.
“Qeveria mbetet e angazhuar për vazhdimin e konsolidimit fiskal. Në këtë kuadër jemi duke balancuar shpenzimet e domosdoshme për investime publike dhe financimin e paketës së solidaritetit, në reflektim të drejtpërdrejtë të vëmendjes së qeverisë ndaj qytetarëve, si dhe financimin e reformave që garantojnë rritjen e ekonomisë”, deklaroi ministri Ahmetaj.
ATSH Nga Etleva Xhajanka