Pallati i të droguarve në Tiranë, këtu u gjet 31-vjeçarja që vdiq nga mbidoza

31-vjeçarja që u gjet e pajetë në zonën e shkollës “Bajram Curri”, në Tiranë, ishte një ndër shumë përdorues të drogës që frekuentojnë këtë pallat të shkatërruar për të marrë substancat narkotike.

Banorët e zonës thanë jashtë kamerave se kryesisht në mbrëmje, shohin persona të moshave të ndryshme që ngjiten në katet e sipërme për të konsumuar drogë.

Godina 6 katëshe është ndërtuar para viteve ’90. Që pas tërmetit të nëntorit 2019, ajo u dëmtua dhe u braktis nga banorët.
Por ndërsa dy pallate të tjerë në të njëjtën zonë të dëmtuar rëndë gjithashtu u shkatërruan, kjo gërmadhë disa katëshe vazhdon të mos prishet e të shërbejë si strehë për personat që drogohen.

Shiringat e hedhura gjithandej përreth ndërtesës, e padyshim shumë më tepër se aq brenda saj, dëshmojnë rrezikun për banorët e lagjes. Dhe shumë më tepër se sa nga konsumatorët e drogës, ata i druhen shembjes së beftë të këtij pallati të lënë në harresë.

Jashtë kameras, banorët e ndërtesave përreth, i thanë ABC News se kanë frikë për veten dhe fëmijët e tyre sa herë kalojnë pranë këtij pallati të rrezikshëm.

Në çdo çast rrëzimi i tij mund të marrë jetë njerëzish. Po ashtu banorët thanë se në katin e parë të pallatit është kjo kabinë elektrike që duhet zhvendosur dhe kjo po vonon në shembjen e ngrehinës së shkatërruar.

Lidhur me 31 vjeçaren, policia tha zyrtarisht se ndërroi jetë nga mbidoza. E reja nuk ishte banore e zonës, ndërsa uniformat blu kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave./abcnews.al

Loading...