Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka intervistë për “Koha Jonë” thotë se Edi Rama po hedh hapa të qartë drejt vendosjes së autoritarizmit absolut, por shtoi se këto i ngjajnë me lëvizjet e fundit të Ramiz Alisë.
I pyetur nga ana tjetër, se çfarë po ndodh me opozitën dhe “luftën” për rrëzimin e qeverisë “Rama 2”, ai pohon se “armëpushimi ka mbaruar. “”Armëpushimi” ka mbaruar dhe nëse Rama, siç duken të gjitha gjasat, nuk tërhiqet, atëherë opozita është e detyruar të kërkojë zgjidhje me të gjitha mënyrat. Sigurisht që qeveria tranzitore por sidomos zgjedhjet e parakoheshme mbeten zgjidhja përfundimtare dhe e vetme për të ndalur rrokullisjen drejt humnerës”, thekson Paloka.
Nënkryetari i PD-së ka komentuar edhe nismën për mini-Shengenin, ndërsa thotë se nga kjo lojë për “Serbinë e Madhe”, Shqipëria dëmtohet ekonomikisht, kurse Kosova izolohet. “Vuçiç me dinakëri, duke shfrytëzuar deficencat dhe deliret e Ramës, po e shet dhe po e propagandon me gojën e kryeministrit shqiptar si ide të këtij të fundit”, shprehet ai.
Samiti i ”Mini-Shengenit Ballkanik”, pa Kosovën ka krijuar një përçaje. A po punohet për Serbinë e Madhe, për krijimin e Jugosllavisë së re? Si e gjykoni qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në këtë samit, ku Kosova vihet në hije dhe sipas ekspertëve humbet konceptin e shtetit?
Atë që Rama-Vuçiç e paraqesin si ide të re dhe e quajnë “Mini-Shengeni Ballkanik”, në fakt nuk është gjë tjetër veç se Serbia e Madhe me dalje në det, ëndrra e vjetër e Serbisë. Një “ëndërr” që Millosheviçi kërkoi ta realizonte me luftë e me gjak dhe nuk mundi, por që tani po i dhurohet nga Rama. E kam deklaruar dhe më parë; ky akt i Ramës është një akt tradhëtie, qartazi në dëm të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. E këtu nuk kam parasysh vetëm aspektin politik të çështjes po dhe atë ekonomik. Politikisht, duke përdorur Ramën, Serbia godet direkt interesat e Kosovës. Serbia jo vetëm nuk e ka njohur Kosovën por është në një aktivitet intensiv që edhe disa nga vendet që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur ta tërheqin këtë njohje. Jo vetëm kaq. Serbia nuk ka kërkuar ende falje për krimet e Millosheviçit e ca më keq akoma, Presidenti Vuçiç, vëllau i vërtetë i Ramës (ish-zëdhënës i Millosheviçit dhe bashkëpuntor i Sheshelit) tenton ti mohojë krimet e tij siç bëri së fundmi me masakrën e Recakut. I ashtuquajturi “Mini-Shengen”, po përdoret për ti bërë karshillëk BE-së, duke u kthyer në rrezik real të aspiratës së shqiptarëve për Integrim në BE. Ekonomikisht gjithashtu Shqipëria dëmtohet, kurse Kosova izolohet. Ekonomia prodhuese e Serbisë është më e zhvilluar se e jona dhe kjo do sillte pasoja për prodhimet shqiptare ndërkohë që Serbisë i ofrohen falas portet shqiptare. Sa për Kosovën, ajo nxirret ekonomikisht jashtë loje. Pra kemi jo vetëm një ide të Serbisë por një ide që dëmton qartazi interesat e shqiptarëve dhe që Vuçiç me dinakëri, duke shfrytëzuar deficencat dhe deliret e Ramës, po e shet dhe po e propagandon me gojën e kryeministrit shqiptar si ide të këtij të fundit.
Zëra nga opozita flasin për një platformë të rrezikshme që ka kaluar edhe në dyert e Europës. Në dijeninë tuaj, çfarë rrezikon zbatimi? Por a mund të jetë z.Rama, pjesë e kësaj marrëveshje antikombëtare? Si të bindemi që ju keni të drejtë?
Takimi i fundit tregoi se Rama ka ndërmend të zhytet edhe më shumë në këtë batak. Ai nuk ngurroi, që në krah të Vuçiçit të sulmojë egërsisht Kosovën dhe lideret e saj politike. Ndërkaq pyetjen e nje gazetareje për faktin që Serbia nuk po njeh krimet e Millosheviçit, kryeministri i Shqipërisë e quajti “patetike” duke ngjallur me të drejtë reagimet e gjithë opinionit shqiptar në rajon. Kujtoj që ndaj mohimit nga Vuçiç të masakrës së Recakut reaguan dhe institucionet nderkombëtare. Praktikisht Rama ka kundër gjithë faktorin shqiptar, përfshi dhe ca zëra të mekur brenda PS-së. Politikanë, ekspertë të politikës dhe ekonomisë por dhe gjithë opinioni publik shqiptar ( hiq shërbëtorët) janë kundër tij në këtë rast, por ai megjithatë ka vendosur të vazhdojë në këtë rrugë. Kjo më bën të them me bindje se nuk kemi të bëjmë as me një gabim, as me një kokëfortësi të Ramës por me një akt të pastër antishqiptar. Tentativa për ta paraqitur këtë akt si të mbështetur nga BE-ja është hedhur poshtë nga Vuçiç, i cili në një intervistë për mediat Serbe, menjëherë pas kthimit nga Tirana, ka deklaruar se “kryeqytetet kryesore të Europës janë kundër kesaj ideje”.
Nga protestat e disa muajve më parë, vendosët për “heshtje” opozitare në momentin e vendimit për çeljen e negociatave dhe tani po shohim një aksion me akuza nga selitë e partive opozitare. A ka kryeministri Edi Rama një forcë më shumë sesa një kryetar normal qeverie, edhe për faktin se opozita është treguar ndoshta më shumë konstruktive sesa duhet?
Unë do thoja që kemi patur dy “armëpushime” të detyruara po asnjëherë paqe me Ramën. Së pari, siç e kemi bërë të qartë, vendimi për moshapjen e negociatave që u shoqërua me vendosjen e kushteve politike për Ramën, le të themi e vuri opozitën në pritje të reagimit nga ana e tij. Kjo u kërkua dhe nga partnerët e sidomos nga Bundestagu që mban dhe autorsinë e kushteve (që në fakt sot janë kushte të BE-së për Ramën). Në fakt deri tani Rama ka bërë të qartë se nuk ka minimumin e vullnetit për plotësimin e atyre kushteve që duhet pranuar se ne do të realizoheshin, do të ishin fundi i pushtetit të tij. Rrethana e dytë ishte fatkeqësia që ra mbi qindra familje shqiptare pas tërmetit të 26 nëntorit. Në ato kushte ishte normale që opozita të ndalte luftën politike e të jepte gjithë kontributin e saj për përballimin e fatkeqësisë! Por edhe në këto rrethana Rama tregoi sesa i papërgjegjshëm e malinj është. Ai tregoi e po tregon çdo ditë se jo vetëm është i paaftë për të menaxhuar situatën pas tërmetit, por paradoksialisht po përpiqet të përfitojë prej saj duke spekulluar politikisht dhe financiarisht. Gjithë impenjimi i tij parësor ishte për të shmangur përgjegjësitë direkte që kishte ai dhe njerëzit e tij për katastrofën, ndërsa më pas u vu në rolin e “shpëtimtarit” të vetëm mbi tokë, duke marrë përsipër zgjidhjen e të gjitha problemeve por vetëm në ERTV. Realiteti sot është që jo vetëm situata nuk u menaxhua, por po shkojmë me shpejtësi dhe drejtë një krize humanitare. Në këto kushte nuk mbetet asgjë tjetër përveç një qeverisjeje tjetër që do të zgjidhte dhe krizën humanitare duke zgjidhur krizën politike. “Armëpushimi” ka mbaruar dhe nëse Rama, siç duken të gjitha gjasat, nuk tërhiqet, atëherë opozita është e detyruar të kërkojë zgjidhje me të gjitha mënyrat. Sigurisht që qeveria tranzitore por sidomos zgjedhjet e parakoheshme mbeten zgjidhja përfundimtare dhe e vetme për të ndalur rrokullisjen drejt humnerës.
Kryebashkiakët e PS-së, të dalë fitues nga votimet njëpartiake të 30 qershorit, dita-ditës po bien por opozita duket sikur e ka harruar. Konkretisht, çfarë po bën PD-ja për këtë situatë? Duhet thënë se janë 3 bashki pa kryetarë.
Kryebashkiakët e Ramës janë po aq ilegjitim sa 30 qershori dhe ne kemi kërkuar e jemi të vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve të parakoheshme parlamentare e njëkohësisht dhe ato lokale. Pa kryetar janë jo vetëm tre bashki ku të emëruarit e Ramës rezultuan të inkriminuar, po të gjitha bashkitë e vendit.
Në duart e Autoritetit Audioviziv të Medias ka kaluar një autoritet paralel me Gjyqësorin por gjykata nuk ndalon vendimin e AMA-s por do të marrë vetë një vendim tjetër edhe pse gjoba do të vihet dhe artikulli do të hiqet. Si e shihni ju këtë?
Kthimi i AMA-s në gjykatë është de jure fundi i lirisë së mediave. Megjithatë unë kam bindjen se pavarësisht qëllimit të Ramës, kjo është një lëvizje e dështuar. Praktikisht Rama po hedh hapa të qartë drejtë vendosjes së autoritarizmit absolut, por mua këto më ngjajnë me lëvizjet e fundit të Ramiz Alisë përpara se të përmbysej nga shqiptarët. Rama në fakt i kontrollon shumicën e mediave edhe sot, nëpërmjet parave ose presionit, por kjo nuk e bën zot të opinionit publik. Kjo është ajo që Rama nuk e kupton dhe e bën të ndërmarri akte të tilla që siç përmenda më lart, i ngjajnë akteve të dëshpëruara të Alisë përpara se të përmbysej. Edhe Ramiz Alia i kishte të gjitha në dorë në ’91, ligjet dhe mjetet e represionit por megjithatë nuk i kontrollonte dot më shqiptarët. I dëshpëruar ai vazhdoi të nxirrte ligje represive si ai për mbrojtjen e monumenteve por kjo nuk i ndaloi shqiptarët as të rrëzonin bustet e diktatorit të vdekur e as të përmbysnin rregjimin. Të njëjtën situatë ka Rama dhe po përpiqet po aq dëshpërueshëm ta zgjidh me të njëjtat forma. Sot Rama është njeriu më i urryer në gjithë trevat shqiptare e të jetë i sigurtë që as ligjet për ti mbyllur gojën mediave, as dënimet e opozitës e as gazi i Lleshit, nuk e shmangin dot fundin e tij.