Panairi Ndërkombëtar i Importit në Shangai, promovim i produkteve shqiptare në tregun kinez

Në Ekspozitën e 1-rë Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) që po zhvillohet në Shangai, ndër mbi 3600 kompani pjesëmarrëse nga më shumë se 130 vende e rajone të botës gjenden edhe katër pjesëmarrës shqiptarë.

Lidhur me ekspozitën, kryetarja e delegacionit të Shqipërisë, zv.ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Albana Shkurta komentoi se kjo është një veprimtari konkrete e Kinës në nxitjen e hapjes së mëtejshme të vendit, që krijon një mundësi të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit, duke përfshirë edhe ndërmarrjet shqiptare të futen në tregun kinez.

Në këtë event, vizitorët mund të njohin burimet e pasura turistike të Shqipërisë dhe të provojnë produktet e veçanta shqiptare, si mjaltë, verë, çaj mali dhe pije organike të sjella nga kompanitë “Morava”, “Natyral ATC”, “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe “Aquila Group”.

Kryemenaxheri i kompanisë “Morava”, Eugen Skermo, i tha Radios së Jashtme të Kinës se ka besim të plotë te tregu kinez dhe se ekspozita është një shans i mirë për futjen e kompanisë së tij në këtë treg. Këtë herë,”Morava” sjell në Shangai një gamë të gjerë produktesh bio, duke përshtatur amballazhimin me kërkesat e konsumatorëve kinezë.

Skermo tha se me produkte shumë cilësore gjë që vizitorët dhe tregtarët po kërkojnë, Morava si një ndër kompanitë e para që kanë ardhur, do të jetë realisht në tregun kinez që është plot potencial.

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës, e propozuar nga presidenti Xi Jingping, është ekspozita e parë e importit në botë në nivel kombëtar. Ajo synon t’i ndihmojë vendet e ndryshme të shfrytëzojnë mundësitë që krijon zhvillimi i Kinës e të thellojnë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar ndërkombëtar, duke realizuar lulëzimin e përbashkët. Faktikisht, fryma e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë shfaqet jo vetëm në gjithë procesin e organizimit, por edhe në përgatitjet e ekspozitës.

Lidhur me këtë, Orges Liperi nga “Natyral ATC” tha se, pasi mësoi për këtë ekspozitë, kompania e tij ka marrë përkrahjen nga pala kineze për përkthimin e përbërësve dhe funksioneve të çajit të malit dhe bërjen e materialeve reklamuese përkatëse.

“Shteti kinez na përkrah dhe ndihemi të vlerësuar. Do të japim maksimumin tonë për sa i përket produktit në tregun kinez. Ndihemi të mbështetur, të përkrahur dhe të sigurt të vazhdojmë të investojmë vit pas viti për këtë rrugë që kemi ndërmarrë. Vitin tjetër do të përpiqemi që të vijmë prapë, sepse ndihemi të sigurt”, shtoi Liperi.

Sipas informacioneve të publikuara nga INSTAT-i, në vitin 2017 vëllimi i tregtisë midis Shqipërisë dhe pjesës kontinentale të Kinës ishte 486 milionë dollarë amerikanë, duke zënë 6.4 % të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.

Megjithëse Kina ishte partnerja e katërt më e madhe tregtare e Shqipërisë, ajo nuk radhitet ndër pesë vendet e para të eksportit për Shqipërinë.

Lidhur me këtë, zv.ministrja e Ekonomisë dhe e Financave Albana Shkurta bëri të ditur se tani disa politika për eksportimin e produkteve bujqësore shqiptare në Kinë janë në hartim e sipër, nga të cilat bashkëpunimi tregtar mund të gjejë hapësira të mëdha.

Në intervistën për Radion e Jashtme të Kinës, numri dy i dikasterit shqiptar të ekonomisë vlerësoi edhe mesazhin pozitiv që dha fjalimi i presidentit kinez Xi Jinping.

“Në fakt, i gjithë fjalimi ishte vërtet frymëzues, jo vetëm për iniciativën ‘Një brez, një rrugë’, por edhe iniciativa ‘Epoka e re për një të ardhme që e ndajmë së bashku’. Mesazhi kyç është që hapja e tregut kinez paraqet një mundësi shumë të madhe jo vetëm për rritjen ekonomike të Kinës – duke pasur parasysh që nxitës kryesor i ekonomisë kineze ka qenë pikërisht rritja e kërkesës nga konsumatorët vendës – por edhe mundësi që u jepen vendeve të tjera për të shfrytëzuar nga kjo rritje konsumi. Në këtë kuptim, koncepti që presidenti kinez dha është që një tregti e lirë dhe e hapur është në fakt në avantazhin e të gjithëve”, u shpreh zv.ministrja e Ekonomisë dhe e Financave e Shqipërisë, Albana Shkurta.ATSH

Loading...