Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Punës, ku ka deklaruar se papunësia ka zbritur në nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit.
Në fjalën e tij, Ahmetaj theksoi se sfida më e madhe është fakti i kualifikimeve profesionale, një realitet i cili i mungon tregut shqiptar. Ai pohoi se Ministria dhe Qeveria do të krijojnë dhe mbështesin kurse falas për kualifikimet profesionale. Për ministrin, reformat e ndërmarra do të krijojnë impakt në rritjen e ekonomisë.
“Kurse formimi profesional falas. Do t’i nxjerrim nga ajo formë “skllavërimi” ekonomi përmes lëmoshës, do i riintegrojmë në tregun e punës dhe nga ana tjetër, të mbështesim ata që realisht e kanë të pamundur të punësohen dhe nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveç ndihmës ekonomike. Shifrat në tregun e punës janë mjaft pozitive në reflektim të rritjes ekonomike dhe të zhvillimit në tërësi. Në 9-mujorin e 2018, bazuar në të dhënat e borderosë së tatimeve, janë 661 mijë të punësuar. Papunësia ka zbritur në nivelin më të ulët në dhjetë vitet e fundit ndërsa në buxhetin e vitit 2019 ne parashikojmë ulje të mëtejshme nën 12% dhe krijimin e mbi 30 mijë vendeve të reja të punës”, – tha Ahmetaj.
Sipas ministrit, rritja ekonomike është shoqëruar me rritjen e punësimit. “Rreth 35% e totalit të vendeve të punës janë krijuar në 4 vitet e fundit”, – përfundoi ai./atsh