Paralajmërimi i ekspertëve: El Nino do të thyejë rekorde temperature gjatë 2023

Fenomeni El Nino do të vijojë edhe përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2023. Një përditësim i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) parashikon se gjasat për një El Niño aktiv deri në fund të këtij viti janë 90%.

“El Niño do të rrisë shumë gjasat për të thyer rekorde të temperaturës dhe për të shkaktuar nxehtësi më ekstreme në shumë pjesë të botës dhe në oqean”, tha sekretari i Përgjithshëm i WMO, prof. Petteri Taalas.

“Ky është sinjal për qeveritë në mbarë botën për të nisur përgatitjet për kufizimin e impaktit në shëndetin tonë, ekosistemet tona dhe ekonomitë tona”, tha ai. El Nino, i cili u shfaq për herë të parë në Paqësor, ndodh mesatarisht çdo dy deri në shtatë vjet, dhe episodet zakonisht zgjasin nëntë deri në 12 muaj. Është një model klimatik i natyrshëm i lidhur me ngrohjen e temperaturave të sipërfaqes së oqeanit në Oqeanin Paqësor tropikal qendror dhe lindor. Por kjo ndodh në kontekstin e një klime të ndryshuar nga aktivitetet njerëzore.
Një raport i WMO, i lançuar në maj, parashikoi se ka 98% gjasa që të paktën një nga pesë vitet e ardhshme, dhe periudha pesëvjeçare në tërësi, të jetë më e ngrohta në histori, duke mposhtur rekordin e vitit 2016, kur El Niño pati kulmin. Sipas raporteve të Gjendjes së Klimës Globale të WMO, viti 2016 është viti më i ngrohtë i regjistruar për shkak të fenomenit El Niño, i kombinuar me ngrohjen e shkaktuar nga njeriu përmes gazrave serrë.

Efekti në temperaturat globale zakonisht shfaqet në vitin pas zhvillimit të tij dhe kështu ka të ngjarë të jetë më i dukshëm në vitin 2024. Temperatura mesatare globale në vitin 2022 ishte rreth 1,15 °C mbi mesataren e viteve 1850-1900. Gjatë El Nino, erërat tregtare dobësohen. Uji i ngrohtë shtyhet prapa në lindje, drejt bregut perëndimor të Amerikës.

El Nino rrjedh nga spanjishtja dhe ka kuptimin djalë i vogël. Peshkatarët e Amerikës së Jugut vunë re për herë të parë periudha të ujit jashtëzakonisht të ngrohtë në Oqeanin Paqësor në vitet 1600.

Emri i plotë që ata përdorën ishte El Nino de Navidad, sepse El Nino zakonisht arrin kulmin rreth dhjetorit (koha e Krishtlindjeve). El Nino mund të ndikojë ndjeshëm në kushtet globale të motit. Ujërat më të ngrohta bëjnë që rryma e Paqësorit të lëvizë në jug të pozicionit të saj neutral. Me këtë ndryshim, zonat në veri të SHBA-së dhe Kanadasë janë më të thata dhe më të ngrohta se zakonisht. Por në Bregun e Gjirit të SHBA-së dhe në juglindje, këto periudha janë më të lagështa se zakonisht dhe shtohen përmbytjet. Impakti i këtij fenomeni natyror shtrihet jo vetëm te moti, por edhe te zjarret, ekosistemet dhe ekonomia.

Loading...