Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka paralajmëruar 10 deputetët që i janë bashkuar lëvizjes së Berishës, që nga foltorja e deri te Kuvendi i 11 dhjetorit, se do të përjashtohen nga grupi parlamentar.
Gjatë fjalës së tij para mediave, kryeopozitari Basha tha se do të merren të gjitha masat e nevojshme në kohën e duhur.
“Do të marrim të gjitha hapat e nevojshëm në kohën e duhur. Kur Agron Kuliçi merr disa herë në telefon deputetë dhe kërcënon, do dokumentohen. Disa janë regjistruar, disa do dokumentohen. Do ndajmë shapin nga sheqeri.
Kush nga ata që kanë humbur busullën, kush ka agjendë personale që ti bashkohet një personi non-grata dhe kush prej tyre ka probleme të tjera. Në bazë të këtyre problemeve do të marrim vendet tona.”, tha Basha.