Parku i Viroit, 3 km larg Gjirokastrës – Atraksion turistik edhe për të huajt gjatë shtatorit

Parku i Viroit, 3 km larg Gjirokastrës, një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, po tërheq vizitorë të shumtë vendas e të huaj edhe në shtator.

Gjatë ditëve të fundit dhjetëra kampera, nga vende të ndryshme të Europës kanë zgjedhur ta kalojnë natën në mjediset e Parkut të Viroit.

Në territorin e parkut turistët kanë mundësi të kalojnë kohën në baret e restorantet që funksionojnë pranë tij, si dhe të argëtohen familjarisht në natyrë.

Turistët kanë zgjedhur ajrin e pastër, mjedisin e këndshëm, që ky park ofron për të kaluar momente relaksi.

Për të gjithë këtë infrastrukturë çdo ditë janë të angazhuar punonjësit e Agjencisë së Pastrimit dhe Mjedisit të bashkisë së Gjirokastrës.

Peizazhet mbresëlënëse të këtij parku janë një mundësi e mirë për qytetarët dhe turistët. Mundësia e ecjes në këmbë apo me biçikletë anës së liqenit, por edhe shijimi i peizazhit shumëngjyrësh po tërheq gjithnjë e më tepër qytetarët, por edhe turistët gjatë sezonit sezonit turistik në këtë zonë, e cila është bërë pjesë e guidave turistike.

Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të eksplorojnë një burim, që mendohet se ka lidhje me 4 burime të tjera, Syri i Kaltër, Skotini, liqenin e Kallpaqit dhe Janinës.

Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari./atsh

Loading...