Parku Olimpik në Korçë ofron më shumë alternativa për të rinjtë, duke siguruar një zonë të re sportive.
Tetë fusha sportive, futbolli, basketbolli, volejbolli, pista e vrapimit dhe perspektiva e ndërtimit të fushave të tjera, si dhe infrastruktura e re përgjatë gjithë perimetrit të Parkut e shndërrojnë atë në një prej komplekseve më të mëdha sportive, jo vetëm në vend.
Parku Olimpik është një kompleks i jashtëzakonshëm sportiv dhe kulturor me standarde europiane, që dëshmon një tjetër transformim rrënjësor të realizuar së fundi në Korçë.
Ai është fryt i një konceptimi modern, që bashkon në një hapësirë, kompleksin sportiv dhe Muzeun e Fëmijëve, një investim mbi 9 miliardë lekë.
Projekti i ri shfrytëzon strukturën ekzistuese në formë harku, të braktisur prej kohësh, e cila është e ndarë në dy pjesë, duke strehuar brenda saj Pallatin e Sportit dhe Qytetin e Fëmijëve.
Punimet për ndërtimin e Parkut u shtrinë përgjatë 2 viteve, tetor 2016 – shtator 2017. Ndërtimi i Parkut u shoqërua edhe me rikualifikimin urban të zonës përreth tij, një hapësirë prej 150 mijë metra2, e lënë djerrë deri para këtij projekti.
TIRANË, 5 nëntor/ATSH/