Partizani përmbys Tiranën me spektakël në derbi, komandon kryeqytetin dhe Superioren

Gola, spektakël, emocione dhe në fund fiton Partizani 2-1 derbin e 151 të kryeqytetit përballë Tiranës. Bardheblutë prej 15 ndeshjesh nuk arrijnë që të fitojnë përballë të kuqve edhe pse e nisën mjaft mirë sfidën e sotme, pasi kaluan në avantazh me Grent Halilin në minutën e 51, i cili është djali i presidentit të ekipit bardheblu Refik Halili. Por të kuqtë nuk u dorëzuan duke besuar deri në fund dhe fituar.

Heroi i Partizanit ishte Rubin Hebaj, i cili hyri si zëvendësues në pjesën e dytë, ndërsa fillimisht barazoi në minutën e 67 më pas shënoi golin e dytë 5 minuta nga fundi duke i dhënë fitoren ekipit të tij. Padyshim një meritë të veçantë për fitoren ka edhe Alban Hoxha, të cilit trajneri Skënder Gega i hoqi shiritin, por e futi në fushë pavarësisht se vetëm ditën e martë doli nga qelia, pasi u arrestua të dielën për drejtim të makinës në gjendje të dehur.

Hoxha tregoi një formë të shkëlqyer duke shpërblyer besimin, pasi shpëtoi të kuqtë përballë rivalëve të qytetit në disa raste të pastra për gol. Me këtë fitore Partizani shkon në kuotën e 34 pikëve në vendin e parë, ndërsa Tirana zhytet në krizë me vetëm 11 pikë në 15 ndeshje, 3 më shumë se Kamza e vendit të parafundit, por me një ndeshje më shumë.

Loading...