Në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24, vazhdoi të trajtohej historia e çiftit të azilantëve të cilët pas divorcit e kanë kthyer marrëdhënien e tyre në një luftë të vërtetë.
Ndërsa ishin në Shqipëri ish-bashkëshortja e denoncoi për dhunë dhe ndërsa ai përfundoi në burg për 4 muaj, ajo u vendos në një shoqatë.
Më pas shkoi dhe u vendos në Francë ku dhe ndodhet aktualisht. Nga martesa e tyre kanë 2 fëmijë dhe ish-gruaja iu lut që të dërgonte një prokure që të udhëtonin edhe fëmijët e të bashkoheshin sërish.
Ai besoi dhe e dërgoi prokurën, por ajo sipas tij u lidh me dikë tjetër dhe i mban fëmijët larg të atit. Gjatë përballjes së parë live ata hodhën akuza të forta për njëri-tjetrin, ndërkohë që ish-bashkëshortja kërkon ndihmë pasi ai vazhdon ende ta kërcënojë e shantazhojë përmes fotografive erotike dhe mesazheve të bëra gjatë periudhës që kanë qënë së bashku.
“Pasi isha ndarë, Fatjoni më ka ardhur në shtëpi, më ka rrahuar, ndaj jam detyruar të kërkoj urdhër mbrojtje”,- thotë gruaja.
Ajo madje e akuzon se “Ai ka grua tjetër ka edhe dy fëmijë me të. Asaj i kërkoj ndjesë që i përmenda emrin”.