Kjo nënkupton se emrat e të gjitha institucioneve të pushtetit qendror do të shkruhen edhe në gjuhën shqipe, ndërkohë që vendkalimet kufitare, tabelat e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe të rrugëve që shtrihen në kuadër të tyre, do të shkruhen në gjuhën shqipe vetëm në rast se shqiptarët arrijnë 20 përqindëshin e popullsisë së asaj komune.
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski deklaroi se për zbatimin e emrit të ri të shtetit Maqedonia e Republikës së Maqedonisë, është formuar grup ndër-resor i cili do të përpilojë plan aksionar nacional për zbatim dhe mbikëqyrje të zbatimit të emrit. Ai gjithashtu njoftoi se bashkë me emrin do të zbatohet edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve.
“Dje në kuadër të seancës qeveritare është sjellë vendim, që në kuadër të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë të formohet grup ndër-resor për përpilimin e një plani aksionar nacional gjithëpërfshirës për masa të mëtutjeshme për obligimet e marrëveshje.
Të gjitha masat që do t’i ndërmarrin institucionet, do të mbikëqyret nga ky grup ndër-resor. D.m.th. të gjitha organet shtetërore do të duhet të formojnë grupe të punës që do të realizojnë aktivitetet që do të dalin nga plani i këtij grupi ndër-resor. Si plotësim i kësaj pike, në seancën e djeshme qeveritare gjithashtu është propozuar dhe pranuar që këto obligime të jenë në pajtueshmëri me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, njoftoi Boshnjakovski.
Të dhënat e siguruara nga Enti Shtetëror i Statistikave të publikuara në vitin 2013, sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, përveç në gjuhën maqedonase, në gjuhën shqipe do të shkruhet edhe në vendkalimet kufitare: Bllacë, Qafë Thanë dhe në Tabanoc, por jo edhe në Deve Bair dhe Bogorodicë.
Vendkalimi kufitar Bllacë me tabela në maqedonisht dhe shqip
Ky vendkalim e lidh Republikën e Maqedonisë me Republikën e Kosovës, dhe shtrihet në territorin e Komunës së Petrovecit. Petroveci ka gjithsej 8.255 banorë, prej të cilëve 4.246 banorë (51.4 për qind) janë maqedonas, 1.887 banorë (22.9 për qind) janë shqiptarë, 1.442 (17.7 për qind) janë boshnjakë, 415 serb (5 për qind), 134 janë romë (1.6 për qind), 75 (0.9 për qind) janë turq kurse vllahë nuk ka fare. Tabelat në këtë vendkalim kufitar do të jenë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.
Vendkalimi kufitar Qafë Thanë me tabela në shqip dhe maqedonisht
Ky vendkalim që e lidh Republikën e Maqedonisë me Republikën e Shqipërisë, shtrihet në territorin e Komunës së Strugës. Struga ka gjithsej 63.376 banorë, prej të cilëve 36.029 (56.9 për qind) janë shqiptarë, 20.336 (32 për qind) janë maqedonas, 3.628 (5.7 për qind) janë turq, 656 janë vllahë, 116 janë romë, 106 janë serbë dhe 103 janë boshnjakë. Tabelat në këtë vendkalim kufitar do të jenë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.
Vendkalimi kufitar Tabanoc me tabela në shqip dhe maqedonisht
Ky vendkalim që e lidh Republikën e Maqedonisë me Republikën e Serbisë, shtrihet në territorin e Komunës së Kumanovës. Kumanova ka gjithsej 105.484 banorë, prej të cilëve 63.746 (60 për qind) janë maqedonas, 27.290 (25.9 për qind) janë shqiptarë, 9.062 (8.6 për qind) janë serbë, 4.256 (4 për qind) janë romë, 292 janë turq, 147 janë vllahë dhe 20 boshnjakë. Tabelat në këtë vendkalim kufitar do të jenë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.
Vendkalimi kufitar Bogorodicë me tabela në gjuhën maqedonase
Ky vendkalim që e lidh Maqedoninë me Greqinë shtrihet në territorin e Komunës së Gjevgjelisë. Gjevgjelia ka 22.988 banorë, prej të cilëve 22.258 (97 për qind) janë maqedonas, 8 janë shqiptarë, 31 (0.1 për qind) janë turq, 13 janë romë, 214 (0.9 për qind) janë vllahë, 367 (1.6 për qind) janë serbë, 5 janë boshnjakë. Tabelat në këtë vendkalim kufitar do të jenë vetëm në gjuhën maqedonase.
Vendkalimi kufitar Deve Bair me tabela në gjuhën maqedonase
Ky vendkalim që e lidh Republikën e Maqedonisë me Republikën e Bullgarisë, shtrihet në territorin e Komunës së Kriva Pallankës. Kriva Pallanka ka gjithsej 20.820 banorë, prej të cilëve 19.998 (96 për qind) janë maqedonas, 668 (3.2 për qind) janë romë, 103 (0.5 për qind) janë serbë, 2 romë dhe 2 boshnjakë, kurse 3 vllahë. Tabelat në këtë vendkalim kufitar do të jenë vetëm në gjuhën maqedonase.
Në seancën e fundit të Qeverisë së Maqedoni është miratuar plani për zbatim të Marrëveshjes së Prespës së nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas vendimit, emri i ri i shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut do të fillojë të shkruhet në tabelat e institucioneve, e vendkalimeve kufitare, e kufijve shtetërorë, e përfaqësive konsullore – diplomatike dhe në hyrjet e institucioneve shtetërore, brenda shtatë ditëve nga dita e nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO nga ana e Greqisë.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve parasheh që më së voni 6 muaj nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit më 15 janar 2019, të gjitha institucionet e pushtetit lokal, ku të paktën 20 për qind të qytetarëve janë të një komuniteti tjetër jomaqedonas, të vendosin mbishkrime në gjuhën e atij komuniteti. Nëse e njëjta nuk ndodh me tabelat deri pas gjashtë muajve, dhe me aktet nënligjore deri pas një viti, parashihet gjobë deri më 5.000 euro për institucionet, kurse 1.500 euro për personat përgjegjës./Portalb