Prof. Afrim Krasniqi
Kur në dhjetor 1990 mori jetë sistemi i ri politik, përmes dy sloganeve “Liri – Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, më pesimistët besonin se procesi për jetësimin e tyre do të zgjaste një dekadë.
Shumica, përfshirë brezin studentor dhe elitat e reja politike e mendonin rrugën drejt Europës dhe demokracisë shumë më të shkurtër. Në politikën, mediat dhe diskutimet e kohës nuk gjendet asnjë zë që të mund të parashikonte dhe për më tepër, ta konsideronte të pranueshme idenë se edhe pas 30 vitesh vendi do të ishte në tranzicion dhe në kërkim të demokracisë, apo “si gjithë Europa”. Shumica e mori rrëzimin e frikës, ikjen nga vetizolimi, demokracinë eksperimentale dhe takimin me Europën si të mirëqenë, si kthim në identitet, si diçka që nuk mund të humbet dhe as të mohohet më.
Parë në retrospektivë, klima e viteve ’90 me pritshmëritë maksimale flet për vizione utopiste të një gjenerate që kishte sakrifikuar gjatë për të fituar lirinë, por nuk kishte menduar se çfarë do të bënte me të pasi ta fitonte, që kishte menduar të rrëzonte regjimin e vjetër por nuk kishte ide të qarta mbi konturet e sistemit të ri, që aspironte Europën por nuk dinte pothuajse asgjë për të, vlerat, parimet, strukturat, dritëhijet apo sfidat e saj.
Takimi i shqiptarëve me demokracinë ishte i vonë në kohë, sepse erdhi një vit pas rënies së Murit të Berlinit, ishte dramatik sepse u shoqërua me ikjen e rreth 300 mijë të rinjve nga vendi përmes tokës dhe detit, ishte sfilitës sepse vendi ndodhej në krizë të thellë sociale dhe në pamundësi për sigurimin e ushqimit për popullsinë, ishte emocional e pasionant sepse pamundësi qëndrimet dhe vizionet realiste, ishte deklarativ sepse nuk mbështetjes realisht nga baza sociale, kultura politike dhe as vetëdija demokratike e vetë shoqërisë.
Populli më i izoluar, anti-perëndimor dhe i përdorur për dekada si kavie eksperimentale pushteti, papritur më 1991 zbuloi dashurinë e madhe për Europën, mbushi sheshet me flamujt amerikanë dhe përfshiu identitetin dhe integrimin si slogane elektorale të 90% të partive të reja politike.
Në pranverën e vitit 1990 në Shqipëri nuk kishte pasur asnjë zë të organizuar pro perëndimor, në pranverën e vitit 1992 nuk kishte asnjë zë të organizuar kritik ndaj perëndimit. Nga shoqëri tërësisht komuniste, shoqëria shqiptare u kthye në shoqëri tërësisht antikomuniste. Ky ndryshim radikal, edhe në simbolikën e tij, është tregues i natyrës së brishtë të raporteve tona të djeshme e të sotme me bindjen, shtetin, fuqitë e mëdha të kohës, Tjetrin dhe identitetin.
Pas tri dekadash tranzicion mund të vlerësohen disa prej tipareve kryesore të tij dhe të arrihen në përfundime rreth bilancit kritik e pozitiv, – një parakusht për të krijuar ide më të qarta për të ardhmen.
Së pari, ndryshimi politik në Shqipëri dallon nga të gjitha ndryshimet e tjera në Europën Lindore. Në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, Rumani dhe vendet balltike kishte regjime të kontrolluara nga Moska komuniste, ndaj me fundin e Luftës së Ftohtë, ikja graduale e “pushtuesit” krijoi hapësirë të lirë për grupet liberale, grupet fetare apo sindikaliste, për qeveritë në mërgim apo qarqet e disidencës politike. Shqipëria dallon ndjeshëm sepse pas viteve ’60 ne nuk kishim “Moskë” në Tiranë, diktatori ishte shqiptar, diktatura ishte shqiptare, regjimi përbëhej nga shqiptarët, ata që urdhëruan vrasjet, internimet, dëbimet, konfiskimet, etj, ishin gjithashtu pjesë të familjeve tona. Ne nuk kishim institucione fetare, as disidencë, as grupe liberale, as qeveri në emigrim, as grupe civile e sindikaliste, as shtresa të mesme sociale, as pronësi mbi tokën dhe mjetet e prodhimit. Ndaj, në dallim nga shumica e vendeve të tjera, ndarja me sistemin komunist në Shqipëri ishte shumë më e vështirë dhe gati e pamundur në konceptin e ndarjes.
Slogani elektoral “bashkëvuajtës e bashkëfajtor” i vitit 1992, ndonëse uli tensionet e momentit, ishte në thelb konfirmues i pamundësisë tonë si shoqëri për t’u ndarë nga e kaluara, bartësit, gabimet apo fajet e saj.
Ndaj edhe në dallim nga të gjitha vendet e tjera, udhëheqësin më të lartë të sistemit të vjetër e zgjodhëm President të parë të sistemit të ri dhe nuk arritëm asnjëherë të integronim ish të përndjekurit politikë në shoqërinë e re postkomuniste. Fakt është se elitat e reja të periudhës së viteve ’90, ashtu si e gjithë shoqëria, ishin produkte të sistemit të izolimit, shumica e tyre u formësuan në kohën e revolucionit kulturor, mbijetuan përmes kompromiseve publike apo të fshehta dhe shërbyen si numra të bindur të regjimit në ikje.
Më 1987, në votimet e fundit të sistemit komunist, nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, ndaj prej 100% të votave pro linjës së “vazhdimësisë” të përcaktuar nga Alia më 1986, dolën edhe ata që më 1990-1992 krijuan pluralizmin politik, partitë politike, drejtuan institucionet, median, shoqërinë civile, ekonominë e tregut dhe kështu u bënë elita e re e Shqipërisë.
Kur flitet për elitat nuk duhet kufizuar vetëm tek vendim-marrësit, por edhe për elitat kulturore, krijuese, shkencore, mediatike, publike, etj, të cilat de facto nuk ishin produkt merirokracie, por ishin elita të emëruara nga sistemi i vjetër, dhe që imazhin publik, rrethin promovues dhe pozitën shoqërore e përdorën për t’u imponuar edhe në elita dominuese edhe në demokraci. Nëse studiohen debatet, arkivat, mediat, analizat, etj, të sotme në Çeki, Poloni, Hungari apo edhe në vendet Balltike, rrallë gjen të njëjtët emra si në vitet 1985-1990, siç gjenden me shumicë në Shqipëri. Shqetësim nuk është riciklimi i elitave në dy kohë të kundërta, por sidomos dobësitë e mëdha të saj në dy kohë për të menduarit strategjik dhe progresiv, krijimi kështu i një modeli elite pragmatiste që rend drejt pushteteve, dhe aftësia e saj për të krijuar e investuar modele që gjithnjë rezultojnë të jenë i njëjti model. Ky fenomen i pritshëm nga faktor nxitës për ndryshimin në fillim të viteve ’90, ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, në Shqipëri u shndërrua më vonë në faktor bllokues ndaj ideve të reja, ndryshimeve të reja, sistemit të konkurrencës dhe të suksesit pa sponsorizimin e politikës dhe të shtetit.
Së dyti, kultura historike e individit të fortë përballë institucioneve të dobëta, e forcës së udhëheqësit ndaj forcës së kolektives, e personalizimit të pushtetit dhe njësimit në memorien publike të shtetit me individin (koha e Zogut, koha e Hoxhës, koha e R.Alisë, koha e Berishës, koha e Nanos, koha e Ramës) ishin faktor pengues për reforma të thella dhe demokraci funksionale. Rrallë gjen vend tjetër në Europën Lindore që pas çdo rotacioni zgjedhor të ketë ndryshuar kaq thellë administratën dhe institucionet kushtetuese, që të ketë refuzuar kaq brutalisht mendimin kritik në parti, në media, në shtet dhe në publik; që të ketë influencë vendimmarrëse kaq të madhe të liderit të radhës, familjes dhe miqve të tij; që të ketë eksperimentuar kaq shumë në institucione kushtetuese dhe në Kushtetutë dhe që të ketë personalizuar kaq thellë partitë politike që themeluan pluralizmin. Institucionet funksionale parandaluan apo zgjidhën kriza në Hungari e Poloni, në Çeki dhe Sllovaki, në Rumani dhe Bullgari, kurse në Shqipëri, pothuajse të gjitha krizat gjetën zgjidhje nga paktet e personalizuara jashtë institucioneve dhe kryesisht në dëm të institucioneve. Kjo kulturë, përcaktoi progresin dhe regresin në dy fazat e tranzicionit, – në fillimet e tij, ku politikanët nuk dinin e megjithatë eksperimentonin duke mësuar, dhe në fazën e dytë, kur politikanët kishin mësuar por vijonin me ndërgjegje të të bënin të njëjtat gabime. Midis modelit të drejtuesit që zgjedh vizionin dhe sakrifikon pushtetin në emër të reformave dhe ndryshimit dhe atij që zgjedh pushtetin duke sakrifikuar në çdo reformat dhe ndryshimin, pothuajse të gjithë zgjodhën të dytin.
Së treti, defektet në kulturën e kompromisit sollën kriza periodike dhe kosto të mëdha për vendin. në dallim nga shumica e vendeve të tjera, kjo klasë politikë nuk arriti të pranojë si sjellje politike nevojën për një pakt kombëtar për reformë, – njësim në politikën e jashtme, në çështjet e sigurisë, në ndarjen e pushteteve, në privatizimin e ekonomisë dhe në respektin ndaj administratës publike. Defektet në kulturën e kompromisit dëmtuan të krijojnë rotacione të njëpasnjëshme demokratike të pushtetit, parandalimin e krizave dhe fokusimin në prioritetet e vërteta të vendit. Legjitimiteti i fituesve vijon rënien në kuota, qeverisja sigurohet përmes votës rurale, midis qendrës e periferisë janë krijuar diferenca të thella dhe se vetëm një pakicë e vogël ka kontrollin mbi burimet, paratë, rezervat dhe pasuritë. Nga ana tjetër, edhe pse shumica e liderëve tanë politikë kanë pasur njohje personale, kolegë në karrierën para-politike, kanë shkuar në të njëjtat shkolla dhe kanë frekuentuar të njëjtat rrethe miqësore, në fazën e administrimit personal të pushtetit shumica e tyre e trajtuan njëri tjetrin si armiq, në një konflikt permanent dhe jashtë të gjitha rregullave etike e ligjore. Pothuajse të gjithë kanë synuar burgosjen e njeri tjetrit, madje disa ia dolën, e megjithatë, me të njëjtin pasion të “revolucionit permanent”, ata u bënë gjithnjë e më të ngjashëm në të folur, në të sjellur, në premtime dhe në abuzime. Ata krijuan konflikte të atilla sa një herë në 5-7 vjet e çuan vendin në viktima civile, por ndërkohë, përballë çdo rreziku për prishje të status quos-ë, ata u ribashkuan, u njësuan, i bënë ballë prurjeve të reja dhe amnistuan e ricikluan njëri tjetrin. Nëse në fillim të ndryshimeve njerëzit e donin politikën dhe krijonin modele inspiruese në pritshmëritë e tyre, pas 3 dekadash shumica qytetare e shikon politikën si mjet drejt përfitimit dhe statusit social, dhe natyrisht, nuk ka modele referuese që do të donin t’ua sugjeronin fëmijëve të tyre. Riciklimi periodik në debate publike të skenarëve me Katovicë, Trieste apo pakte të tjera të fshehta, në thelbin e vet shërbejnë si alibi se gjërat ishin paracaktuar, dhe si të tilla, janë ushqim i preferuar, për një shoqëri të paaftë të kuptojë dështimet e veta dhe të përballet me pasojat e tyre.
Së katërti, raporti ynë kritik me aleatët dhe aleancat, nisi fillimisht si kapërcim drastik nga BRSS e Kina, tek izolimi i thellë e më pas drejt SHBA e BE, pa pasur të qartë çfarë duam dhe se ku duam të arrijmë. Sot Shqipëria është në NATO dhe aspiron BE-në, – një zgjedhje unanime në mbështetje qytetare e politike, – shpesh e motivuar nga nevojat dhe mbijetesa, pa e shkrirë orientimin me identitetin tonë, me mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit. Shqipëria pati kuota rekord të mbështetjes nga BE në reformat ekonomike të 30 viteve, mori mbështetje përcaktuese nga SHBA për hyrje në NATO, por nga ana tjetër, vendi përballet ende me ndikime e orientime orientale të shteteve me interes në rajon, me kërcënimin e populizmit, nacionalizmit dhe ekstremizmit radikal, me dominimin e konceptit të nevojës për stabilitet përballë nevojës për demokraci dhe në rënien e kapaciteteve njerëzore, ekonomike dhe konkurruese. Referuar fakteve, – gjithçka që ne sot veshim nuk është produkt shqiptar, gjysma e gjërave që konsumojmë vijnë nga importi, teknologjia dhe pajisjet nuk prodhohen më tek ne, vetëm 30% e bujqësisë është funksionale dhe Shqipëria vijon të jetë në fundin e listës për investimet në arsim, teknologji, turizëm dhe kulturë. Shqipëria ende nuk ka një strategji se ku do të jetë pozita e saj pas 10 apo 30 vitesh, nuk ka ende një vizion të qartë mbi përballjen me sfidat e globalizmit dhe të konkurrencës, nuk ka ende një inventar të detajuar të kapaciteteve të saj dhe nevojave për ndërhyrje, nuk ka ende një strategji sigurie e zhvillimi të mbështetur edhe në partneritete strategjike, ndërkohë që vijon të jetë ende një vend emigrator, tashmë nga burime njerëzore profesionale dhe të mirë-formuara.
Së fundi, por me rëndësi, – koha që jetojmë, pavarësisht dobësive dhe zhgënjimit në raport me pritshmëritë, është e mbetet periudha më e mirë e shtetit dhe e shoqërisë shqiptare në 100 vjet. Në asnjë periudhë tjetër historike shqiptarët nuk kanë pasur më shumë miq dhe shtete partnere, shoqëria nuk ka pasur më shumë debat dhe liri veprimi, gjendja social-ekonomike nuk ka qenë më e mirë dhe më e qëndrueshme, shqiptarët nuk kanë qenë më aktivë e vendim-marrës në rajon, referimet në ligj e sidomos në Kushtetutë nuk kanë qenë më të mëdha, shanset për drejtësi funksionale dhe llogaridhënie për abuzuesit nuk kanë qenë më të mëdha, nuk kemi pasur më shumë sesa sot shqiptarë të famshëm e të suksesshëm në botën e lirë, nuk ka pasur kaq shumë garë për dijen dhe rendje pas teknologjive të reja, si dhe nuk kemi qenë më të fokusuar në identitetin tonë perëndimor dhe në aleancat gjeopolitike demokratike.
Zhgënjimi i natyrshëm vjen nga hendeku midis mundësive dhe realizimeve, lodhja nga premtimet dhe riciklimi i elitave, nga diferenca e madhe me pritshmëritë e tranzicionit dhe nga ndjesia se liria nuk po prodhon demokraci funksionale dhe se si edhe më parë, rrezikojmë të jemi përherë në vendin e fundit në proceset reformatore dhe etapat historike. Ajo që shpesh harrojmë dhe që duket rikujtuar janë dy aspekte; – së pari progresi i jashtëzakonshëm i Shqipërisë së sotme me Shqipërinë e vitit 1990, midis shoqërisë së uritur, të paditur dhe të pamësuar me botën dhe shoqërisë së sotme të njëmijë shanseve dhe njëmijë ndryshimeve radikale, – si dhe së dyti, pranimi brenda i debatit mbi tezën se një shoqëri si e jona, edhe nëse rikthehej në kohë, nuk do të mund të prodhonte më shumë demokraci funksionale, më shumë shtet të së drejtës, më shumë liri dhe më shumë vlera e bilanc progresit. Ky është standardi maksimal për Shqipërinë? Po e ardhmja? Nuk ka dyshim se do të duhen energji, kohë, sakrifica dhe sidomos gjenerata të reja me sistem mendimi e sjelljeje tjetër, që të mund të ketë një standarde tjetër demokracie, një kalim cilësor dhe të qëndrueshëm drejt një stadi të ri demokratik i shtet dhe si shoqëri. / bota.al
Burimi bota.al