Pas vendimit të qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, mbrëmjen e sotme forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë mbërritur në ambientet e ambasadës të Iranit në Tiranë duke i kërkuar që të lirojnë ambientet e godinës.
Punonjësit e ambasadës së Iranit, përveçse janë duke mbledhur sendet e tyre personale janë duke djegur edhe disa shkresa apo dokumente përmbajtja e të cilave nuk dihet. Një kamionçinë me tre fuçi hyri pak orë më parë ne ambasadë, ku mesa duket kanë shërbyer për djegien e këtyre dokumenteve. Ndërsa forcat e policisë janë larguar nga dera kryesore dhe janë zhvendosur ne fillim te rrugës që të çon për tek ambasada iraniane e cila ndodhet përballë piramidës.
Bëhet me dije se policia i ka kërkuar autoriteteve iraniane që të lirojnë ambientet e godinës pasi kryeministri Edi Rama sot i ka vendosur ultimatum që brenda 24 orësh stafi i ambasadës duhet të largohet nga Shqipëria.
Ky vendim i qeverisë shqiptare vjen menjëherë pasi Rama tha se ka prova të qarta që sulmi kibernetik ndaj serverave të shtetit shqiptar është porositur nga qeveria e Iranit./Shqiperiaime