Pasi fitoi zgjedhjet Erdogan i tregon ‘dhëmbët’ presidentit amerikan, ja çfarë ka kërkuar në këmbim për t’i dhënë “dritën jeshile” anëtarësimit të Suedisë në NATO

Pas Finlandës, edhe Suedia pritet të anëtarësohet shumë shpejt në NATO. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, norvegjezi Jens Stoltenberg, tha se vendi “ka një dritare hapur tani, sidomos pas zgjedhjeve turke”.

Sipas tij, Suedia mund të bëhet anëtare e plotë e NATO-s në samitin e Vilnius-it”, nënvizoi Stoltenberg. Ndër vendet që kundërshtojnë më shumë hyrjen e Suedisë në NATO është Turqia e Rexhep Tajip Erdogan, që sapo është rizgjedhur në krye të vendit.

Arsyeja është fakti se sipas Ankarasë Suedia është treguar shumë tolerante me kurdët e PKK-së, të cilët Erdogan i konsideron terroristë. Fahrettin Altun, drejtori i komunikimit i Erdoganit, tha se “është krejtësisht e papranueshme që terroristët e PKK të vazhdojnë të veprojnë lirshëm në Suedi”. Altun tha se shpresojnë që ligji i ri kundër terrorizmit i miratuar nga Stokholmi, të zbatohet siç duhet.

Ndër mjetet e presionit që Shtetet e Bashkuara po përdorin për të “zbutur” Ankaranë, është çështja e furnizimit me F-16, avionët luftarakë të ndërtuar nga Lockheed Martin, një kompani amerikane, siç tregohet edhe nga një bisedë telefonike e ditëve të fundit mes Erdogan dhe presidentit të SHBA, Joe Biden.

“Çelësi” për dritën jeshile mund të jenë pikërisht 40 avionët luftarakë të gjeneratës së re F-16, për të modernizuar ato që Ankaraja zotëron aktualisht. Gjithçka mund të vendoset në Vilnius, më 11 korrik.

Përshtypja është se “Po”-ja e Sulltanit do të vijë shpejt, por Erdogan do të kërkojë garanci për përfundimin e mbështetjes amerikane për milicitë kurde të YPG-së në veri të Sirisë dhe do të insistojë në ekstradimet e të dyshuarve të PKK-së që ikën në Suedi në vitet 1980 dhe 1990.

Loading...