Abuzimi ndaj vajzës 6-vjeçare në Kamëz nga i ati Raimond Kunoraj, ka tronditur mbarë opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta jo vetëm mes qytetarëve, por edhe në rang institucional dhe në emisionet televizive. E mitura është rrahur edhe me thupër nga babai i saj, i cili është vënë në pranga. Tre ditë pas denoncimit të ngjarjes së rëndë në Komisariatin e Policisë Kamëz, nëna e fëmijës ka pranuar para grupit hetimor se ishte në dijeni të dhunës që i ati ushtronte ndaj saj.
Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, mbrëmjen e sotme ka folur edhe pastori Akil Pano, i cili theksoi se në rrjetet sociale kanë qarkulluar komente dhe mendime nga më të ndryshmet, madje kishte edhe nga ato që kërkonin rikthim të dënimeve me vdekje. Për sjelljen e babait të së miturës, pastori Pano tha se ai nuk mund të konsiderohet më “Baba”, pasi është shndërruar në kafshë dhe është tjetërsuar.
Pano tha:
Komentet në rrjetet sociale kanë qenë “dënimet me vdekje duhet të kthehen.” Nuk do ta konsideroja baba një person që ushtron dhunë mbi fëmijën e tij dhe shndërrohet në një kafshë. Kështu do ta shikoja, një person të tjetërsuar. Po të shohim botën e kafshëve, shohim se janë në gjendje të kujdesen për të vegjlit. Dëshira për t’iu rikthyer bashkëshortes përfundon në një traumë dhe tragjedi të tillë. Do ta shikoja që është dhimbje e tejskajshme, kur një individ nuk është normal, një nënë krejt e mpirë nga trauma./joq