Pastrohen kanalet në Selenicë, fermerët lehtësi për vaditjen e tokave bujqësore

Fermerët e fshatrave të bashkisë Selenicë kanë nisur më herët këtë vit vaditjen e tokave bujqësore pas pastrimit të kanaleve vaditëse.

Kryetari i bashkisë Selenicë, Pëllumb Binaj, tha sot për ATSH-në se “ka përfunduar me sukses pastrimi i kanalit vaditës Armen-Drashovicë, një punë e shumëpritur nga banorët e zonës. Ky kanal i lënë prej vitesh në harresë, i mbytur nga inertet dhe mbetjet e pista është transformuar tërësisht”.

“Si asnjëherë më parë sezoni i vaditjes ka nisur më 20 maj dhe jo më në 15 Qershor, duke përshpejtuar nevojën e fermerëve në këto kohë thatësire për të mbjellat e tyre. Kanali me gjatësi 11 km iu vjen në ndihmë fermerëve të fshatrave Armen, Picar, Lubonjë, Penokovë, Peshkëpi”, – tha Binaj.

Sipas tij, puna do të vijojë në Armen, ku po bëhet rruga bujqësore në shërbim të fermerëve dhe vazhdojmë me pastrimin e kanaleve të dyta dhe të treta kulluese.

Kanalet vaditëse kanë përfunduar në Shkozë, Mesaplik, Brataj dhe po vazhdohet me Harvalane, Hasomatin etj.

Bashkia e Selenicës ka si prioritet përveç rehabilitimit të rrugëve rurale edhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse./atsh

Loading...