Pastrohet liqeni i Pukës, një peizazh harmonik alpin

Liqeni i Pukës i kthyer tashmë në një destinacion turistik ofron për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Ditët e fundit, punonjësit e bashkisë së Pukës kanë punuar për pastrimin e liqenit, në gjithë sipërfaqen e tij.

“Nuk mjafton vetëm ta kemi, duhet dhe ta mirëmbajmë. Punonjësit tanë të shërbimeve të angazhuar për pastrimin e liqenit”, shprehet bashkia e Pukës.

Punonjësit e bashkisë kanë pastruar të gjitha papastërtitë që ndodhen në liqen.

Puka gjithnjë e më shumë po merr një fizionomi tjetër, duke u bërë më tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Aktualisht falë edhe investimeve të qeverisë për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit, mozaiku mjedisor që ofron Puka përbën tashmë edhe një destinacion turistik të veçantë.

Puka e ndodhur në qendër të Shqipërisë veriore ofron një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë për shëtitje, ski, alpinizëm, etj.
ATSH Nga Klotilda Saraçini

Loading...