Partia Demokratike akuzoi Ministrin e Brendshem Sander Lleshaj per shpifje me akuzat e bera ndaj PD dhe opozites pas publikimit te denoncimeve lidhur me parcelat me droge.
REAGIM I PARTISË DEMOKRATIKE
Akuzat e rreme të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj kundër Partisë Demokratike për çështjen e kanabisit janë identike me ato të paraardhësit të tij Saimir Tahirit para 4-5 vjetëve, kur droga transportohej me avion dhe qeveria bënte sikur vriste mushkonja.
Historia e afërt na tregon se sulmet politike nuk e ndryshojnë dot faktin se, njësoj si atëherë, Shqipëria është e mbjellë me drogë nga Veriu në Jug të vendit, si pjesë e projektit të Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin.
Përgjimet zyrtare të Prokurorisë provojnë se trafikantët e drogës janë në shërbim të Partisë Socialiste dhe kanë blerë vota për të mbajtur Edi Ramën në pushtet, duke i siguruar të paktën 20 deputetë.
Fotot e publikuara sot janë vetëm maja e ajzbergut e siperfaqeve të mbjella me drogë kudo në Shqipëri. Janë prova se kultivimi i kanabisit ka bekimin e kësaj qeverie, të deputeteve dhe kryebashkiakëve të Edi Ramës. Shqipëria është e mbushur plot me kanabis. Kudo është mbjellë drogë dhe fakt është se nuk ka asnjë bos droge të arrestuar, nuk ka asnjë Drejtor Policie të larguar.
Shpifjet nga facebook-u për gjoja lidhje të PD-së me trafikantë droge që ne po denoncojmë çdo ditë, e bëjnë edhe më qesharake reagimin e pasardhësit të Saimir Tahirit, të dënuar për bashkëpunim me trafikantët e drogës. Sandër Lleshaj duhet të thotë publikisht emrat e atyre që pretendon se janë të lidhur me PD, ose të kërkojë ndjesë publike për lehjen e radhës kundër opozitës. Në fakt, këto janë thjeshtë shpifje që i shërbejnë Ministrit të Hashashit vetëm për të fshehur trafikantët e drogës dhe për ti ikur fakteve tronditëse të raportit të Antimafias Italiane.
“Shqipëria u kthye në një nga prodhuesit kryesorë në botë për kanabisin dhe në pikë kyçe tranziti për heroinën dhe kokainën nga Afganistani apo Kolumbia drejt Europës”- thotë raporti për periudhën e drejtimit të Ministrisë së Brendshme nga Sandër Lleshaj.
Në këtë mënyrë, ai ka thyer edhe një rekord të dështimit të qeverisë në luftën kundër trafikut të drogës, duke hyrë në histori si ministri më i dështuar.