Sekreteari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po vazhdon që të bëjë show mbi tragjedinë e 26 Nëntorit duke bërë propagandë të shëmtuar kundër opozitës.
Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan se Rama dështoi në menaxhimin e situatës së tërmetit dhe se, sipas tij, qytetarët e zonave të prekura e vërtetuan një gjë të tillë.
Për Bardhin në këtë kohë fatkeqësie, shqiptarët kanë parë se e vetmja forcë e përgjegjshme, që ka ngritur zërin për interesin e tyre është opozita, e cila sipas tij nuk ka përfituar politikisht nga kjo situatë.
“Edi Rama vazhdon të bëjë show mbi tragjedinë e 26 Nëntorit, duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe abuzimin e qeverisë së tij me propagandë të shëmtuar kundër opozitës. Për fatin e keq të Shqipërisë dhe qytetarëve të prekur nga tërmeti, këto 3 javë provuan se vendi drejtohet nga një kryeministër i dështuar.
Edi Rama dështoi të menaxhojë situatën pas tërmetit, dështoi t’u japë qytetarëve sigurinë për banesat e tyre, dështoi të mbrojë interesin publik, duke mbrojtur paturpësisht 150 milionë dollarë që u jep oligarkëve për koncesionet korruptive të firmosura prej qeverisë se tij. Dëshmi e dështimit të Edi Ramës është edhe përgjegjësia direkte për vdjekjen e 24 qytetarëve në pallatet e shpallura të pabanueshme në Thumanë pas tërmetit të 21 Shatorit, për të cilët nuk mori asnjë masë për ti strehuar, duke i lënë në mëshirën e fatit.
Dështimi më i madh i Edi Ramës është se nuk shndërroi dot Partinë Demokratike dhe opozitën në fasadën e pushtetit të tij të korruptuar dhe të kriminalizuar. Ai e ka të lidhur fatin me Vangjush Dakon dhe Arben Ahmetajn, ndërsa ne me qytetarët shqiptarë. Në këtë kohë fatkeqësie, shqiptarët kanë parë se e vetmja forcë e përgjegjshme, që ka ngritur zërin për interesin e tyre është opozita.
Ne nuk përfituam politikisht nga tragjedia, ne nuk u tallëm me viktimat dhe as nuk i përdorëm të prekurit nga tërmeti, siç po përpiqet prej ditës së parë, Edi Rama, i cili shpiku edhe fejesën e të birit për t’u viktimizuar para shqiptarëve që ia kanë hequr vizën me kohë.”