Dy javë pas zgjedhjeve të 25 Prillit, të cilat nuk i njohu, Partia Demokratike po bëhet gati për të bërë hapin e parë zyrtar për t’ju drejtuar institucioneve.
Një burim nga selia blu tha se PD në ditët në vijim pritet që të dorëzojë pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit për 9 qarqe në vend.
Të vetmet qarqe ku PD nuk pretendon se ka pasur parregullsi janë Shkodra, Lezha dhe Dibra, të cilat i ka fituar.
Mes qarqeve që kërkohet rivotim përpos Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Fierit, Beratit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës është edhe Kukësi, që PD e ka fituar në 25 Prill.
Me provat që sipas tyre disponojnë, PD pretendon se në 9 këto qarqe procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejtë dhe vullneti i qytetarëve është deformuar.
Çfarëdo vendimi që të marrë KAS me shumë shanse fjalën e fundit për dosjen do ta thotë Kolegji Zgjedhor. Në 25 Prill Edi Rama mori 74 mandate për të qeverisur edhe për një tjetër mandat, i treti radhazi në pushtet.