Sot, nga Parku Olimpik i Tiranës u prezantua kandidati për deputet, i renditur i 19-ti në listën e Partisë Socialiste për Tiranën, Pandeli Majko.
Teksa u pyet për hapjen e fushatës së Partisë Demokratike, Pandeli Majko theksoi se ata treguan veten e tyre, duke shtuar se tashmë ata ia bënë më të lehtë çdo personi që ishte i dyzuar se cila është alternativa tjetër që mund të vijë.
“Ne kemi detyrë që mitingun më të madh ta bëjmë te kutia e votimit. Kundërshtarët na ndihmuan sepse shumë njerëzve, të cilët mbase ishin në një lloj udhëkryqi, por sa i përket votimit ju treguan se kush është alternativa tjetër që mund të vijë.
Ne respektuam të drejtën qytetare për shëndetin dhe respektuam ata që janë mbretërit e kohës sonë.
Mbretërit e kohës sonë janë mjekët dhe jo pa qëllim, ne në krye të listës së Tiranës kemi vendosu dy shkencëtare, dy gra të cilat janë protagoniste dhe zëdhënëse të opinionit publik për dy nga çështjet themelore që po kalon shoqëria Shqiptare, tërmetin dhe korona virusin”, deklaroi Majko.
Ai gjithashtu komentoi edhe vendosjen i 19-i në listën e kandidatëve për deputetë për qarkun e Tiranës.
“Çfarë mendimi ka Pandi që është kaq poshtë në listat e PS në Tiranë?”, ishte pyetja, ndërsa Majko u përgjigj se është një përgjegjësi përballë elektoratit socialist.
“Në listën e PS gjërat nuk diskutohen poshtë e lart. Diskutohet linja e zjarrit dhe ndjesia që ne nuk mund të kërkonim nga deputetët më të rinj përgjegjësi që i takonin më të vjetërve. Kjo është një përgjegjësi, duke u vendosur te vija e zjarrit.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Edi Rama, edhe Gramoz Ruçi, edhe Niko Peleshi, të njëjtën gjë kanë bërë të gjithë shokët tanë që marrin përgjegjësi përballë elektoratit socialist për t’ju thënë të gjithëve që zgjedhjet dhe mandati i tretë është një sfidë e jashtëzakonshme”, theksoi ai.