Projekti fantazëm Milot-Fier, 5 ditë pas shfaqes propagandistike, tenderi nuk ekziston.
4 pyetjet që Belinda Balluku dhe Edi Rama duhet t’u japin përgjigje.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ
Koncesioni i rrugës Milot-Fier është një nga vendimet më korruptive dhe që vjedh më shumë qytetarët shqiptarë. 1.2 miliardë euro është kosto e fryrë, deri në 6 fish më e lartë se bypass i Fierit, në mënyrë që tarifa e udhëtimit të jetë e lartë dhe ata që janë përfshirë në këtë aferë të pistë, të pasurohen akoma më shumë duke vjedhur qytetarët.
Projekti Milot-Fier është bërë me urgjencë dhe është trajtuar si një plan i vërtetë grabitje. Për këtë projekt nuk ka dokumenta, nuk dihet si u përzgjodh, nuk dihet kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion, nuk duhet si u përzgjodh konsulenti që doli në konkluzionin se rruga kushton 1.2 miliardë euro dhe një udhëtim kushton 17.4 euro.
Projekti Milot-Fier është akoma një projekt fantazëm, për të ekzistojnë vetëm fjalët e kryeministrit dhe Ministres së Infrastrukturës. Tenderi nuk ekziston i shpallur në faqen përkatëse të prokurimeve, megjithëse, gjatë shfaqjes propagandistike 5 ditë më parë, Ministrja e Infrastrukturës, premtoi ndryshe.
SINKRON BELINDA BALLUKU
“Duke filluar nga sot, në orën 12.30, i gjithë dokumentacioni do të jetë i disponueshëm në faqen e APP-së dhe i aksesueshëm për të gjithë të interesuarit”
As ditën kur u shpall me bujë të madhe, as sot, dokumentat e tenderit nuk ekzistojnë, për faktin e vetëm se nuk ka një punë serioze në interes të qytetarëve, por ka një aferë korruptive.
Belinda Balluku, po të dojë, edhe Edi Rama, duhet t’u japin përgjigje të qarta disa pyetjeve elementare.
1. Pse nuk është shpallur akoma tenderi dhe dokumentat e tij?
2. Si u përzgjodh projekti i Milot-Fier?
3. Kush e mori vendimin që rruga të bëhet me koncesion?
4. Si u përzgjodh konsulenti i rrugës 1.2 miliardë euro?
Belinda Balluku duhet të bëjë transparencë dhe të mos fshihet pas fjalive me dy kuptime!
Shqiptarët, të cilët ajo dhe Edi Rama duan i detyrojnë të paguajnë 17.4 euro për një rrugë që është e ndërtuar aktualisht në më shumë se gjysmën e saj, kanë të drejtë të njihen me çdo akt, që përkthehet në kosto marramendëse për ta.
Milot-Fier është një projekt që do të verifikohet me imtësi nga qeveria e ardhshme! Partia Demokratike është e vendosur të mos ngarkojë në kurrizin e shqiptarëve edhe një borxh tjetër, që sjell me vete një faturë të lartë dhe të pamerituar për çdo qytetar!