Kryedemokrati Lulzim Basha u ka dërguar një mesazh mirënjohje të gjithë delegatëve të Kuvendit Kombëtar, të cilët ditën e djeshme zgjodhën 300 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Basha i drejtohet edhe anëtarëve të KËshillit, të cilëve u thotë se kanë besimin e të gjithë demokratëve për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve. Sipas tij, PD është e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim.
“Mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar përfaqësuan demokratët anembanë Shqipërisë. Suksese Këshillit Kombëtar të përzgjedhur!
Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.
Sfidat që kemi përpara janë te mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu.
Këshilli i ri, i hapur për më shumë zonja dhe zonjusha, më shumë të rinj dhe të reja, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë, sepse ne jemi e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim”, shkruan Basha.