Parlamenti Europian votoi për një kontroll më strikt të gjigantëve digjitalë si Google apo Facebook duke nxitur pushtetin ekzekutiv të BE-së për më shumë vendosmëri në projektin e legjislacionit të ri, që pritet në dhjetor.
Tre tekste bashkuan shumicën e eurodeputetëve për të mbikëqyrur më mirë platformat e mëdha.
Debati u mbajt ndërsa rrjetet sociale, të përdorura për të publikuar mesazhe urrejtjeje, u veçuan në Francë për rolin në vrasjen e profesorit Samuel Paty.
Autoritetet amerikane ndërmorën një veprim juridik kundër Google për abuzime të qëndrimit dominues, shenjë e një mosbesimi në rritje ndaj gjigantëve të teknologjisë.
“Europa ka bërë më shumë se çdo kontinent tjetër për të rregulluar botën digjitale. Por, edhe këtu ajo është ende larg far west-it. Ne nuk luftojmë aktivitetet e paligjshme në internet me të njëjtën ashpërsi si në botën reale”, denoncoi deputeti europian, Kris Peeters (Kristian-demokrat, EPP).
Komisioni Europian po punon për një legjislacion (“Digital Services Act” dhe “Digital Market Act”) që synon të frenojë gjuhën e urrejtjes ose dezinformimin në internet, të vendosë rregulla transparence dhe përgjegjësie në platformat kryesore të strukturimit dhe të pajisë Europën me mjete të reja të konkurrencës për të shmangur abuzimet me një pozitë dominuese në ekonominë digjitale.