Për herë të parë, fond i veçantë për parandalimin e kancerit tek gratë.

Për herë të parë në buxhetin e 2019 për shëndetësinë është parashikuar një fond i veçantë që do të shkojë në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe gjirit tek gratë dhe vajzat.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raportoi sot në komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë teksa theksoi se programi i ri vjen si pasojë e një buxheti të konsoliduar.

“Unë do të doja të sillja disa risi të këtij pr/buxheti duke thënë në radhë të parë, që ky buxhet vijon të mbështesë të gjithë sektorin shëndetësor nëpërmjet një financimi të konsoliduar. Për herë të parë do të përfshijmë një program të ri përsa i përket programeve të parandalimit, ku për herë të parë do të përfshijmë në këtë buxhet programin e depistimit të hershëm të kancerit të qafës së mitrës për gratë. Një program për herë të parë që do të përfshihet në buxhetin e 2019 dhe do të influencojë në depistimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës. Paralelisht, duhet të them që ky buxhet do të financojë edhe programin e depistimit të hershëm të kancerit të gjirit, nëpërmjet të gjithë investimeve tashmë të bëra në spitalet rajonale si dhe nëpërmjet mamografive të lëvizshme. Ne garantojmë më shumë shërbime të parandalimit për gratë nëpërmjet buxhetit si programe të filluara dhe konsoliduara”, – u shpreh ministrja.

ATSH

Loading...