Ermal Dredha, nderohet me medalje nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha është nderuar me Medaljen “Urdhri i Pavarësisë, Klasi i Parë’ , nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan në vlerësim të kontributit të tij si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhënia e medaljes me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në forcimin e marrëdhënive mes dy vendeve”, iu dorëzua z. Dredha nga Shkëlqesia e tij Ahmed bin Ali Al Sayegh, Ministri i Shtetit, gjatë një pritjeje në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Abu Dhabi.
Në takim, z. Dredha shprehu vlerësimin dhe falënderimin për Presidentin, Lartësinë e Tij Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, duke theksuar kontributin që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë për Shqipërinë, por dhe për mbështetjen e dhënë në kryerjen e detyrave të tij për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.
Ministri, Shkëlqesia e Tij Al Sayegh shprehu urimet për z. Dredha që të ketë sukses në punën e tij, duke vlerësuar angazhimin e tij si Ambasador në forcimin e marrëdhënieve të dalluara midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Republikës së Shqipërisë në të gjitha fushat.