Përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve të energjisë, Komisari i Punës i BE, Nicolas Schmit paralajmëron për më shumë varfëri energjetike në Evropë. Tashmë ka miliona njerëz që vuajnë nga varfëria energjetike, “dhe ky numër mund të bëhet edhe më i madh”, tha Schmit. Ndërsa Komisioni i BE mund të ndihmojë vendet e BE të kufizojnë ndikimin e çmimeve aktuale të larta të energjisë tek njerëzit, qeverive kombëtare u takon të ndërmarrin veprime, tha ai.
Zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, kishte thënë më parë se ishte e rëndësishme të veprohet në mënyrë të koordinuar në të gjithë Evropën dhe brenda rregullave ekzistuese për tregun e brendshëm të BE. Çmimet e energjisë dhe opsionet afatshkurtra të veprimit do të luajnë gjithashtu rol në samitin e BE javën e ardhshme.
Konfederata Sindikale Evropiane (ETUC) shprehu në shtator frikën se më shumë se 2.7 milionë njerëz në Evropë nuk do të ishin në gjendje të ngrohnin si duhet shtëpitë e tyre, edhe pse ishin në marrëdhënie pune.
BE dëshiron të mbrojë familjet nga çmimet shumë të larta
Familjet dhe bizneset evropiane duhet të mbrohen nga rritja e çmimeve të energjisë sa më shpejt të jetë e mundur, sipas Komisionit Evropian. Komisarja e Energjisë Kadri Simson për këtë arsye prezantoi gjatë javës një të ashtuquajtur kuti mjetesh, të cilat vendet e BE mund t’i përdorin pa shkelur rregullat evropiane të konkurrencës.
Ndër të tjera, Komisioni propozoi pagesa direkte, lehtësim tatimor dhe subvencione për bizneset e vogla. Por ajo gjithashtu e kishte fjalën për reforma afatmesme për ta bërë tregun evropian të energjisë më të fuqishëm në plan afatgjatë.