Opozita parlamentare eshte percare si mos me keq ndersa Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi parashikohet te krijojne dy parti te ndryshme. Një vit më parë, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari refuzuan të djegin mandatet dhe së bashku me deputetët që dolën kundër vendimeve të PD e LSI, u bënë opozita në Parlament.
Sot secili prej tyre ka vendosur të themelojë një parti të re, dhe qëllimi nuk ndryshon shumë: Ata duan të ndryshojnë modelin e partive që varen vetëm nga kryetari.
Partia e krijuar nga zoti Murrizi e ka emrin Lëvizja Demokratike Shqiptare dhe pjesë e saj janë disa prej deputetëve që dolën nga lista e PD
“Besoj se do të ketë disa nga deputetët e sotëm në përbërjen e saj dhe në kandidimin e 2021 do të ketë individë dhe qytetarë të papërfolur në korruptimin e pushtetit në këto 20 vitet e fundit, njerëz më kontribute të qendrës së djathtë, themelues te PD, nuk do të ketë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, oficerë të sigurimit të shtetit dhe funksionarë të lartë të Partisë Komuniste”, tha Murrizi.
Rudina Hajdari do të krijojë një tjetër parti duke hedhur vështrimin tek shoqëria civile e qytetarët që janë lodhur nga sistemi aktual politik
“Nuk bëhem pjesë e një partie të një individi, në këtë rast të zotit Murrizi. Unë bashkë me shumë të rinj të tjerë, bashkë edhe organizata të shoqërisë civile që janë marrë me nisma politike siç është edhe nisma Thurje, po të shikosh kanë hedhur hapat e para për të bërë një iniciativë të hapur e të gjerë dhe unë besoj që rrugës ne do të bashkohemi pikërisht për t’i krijuar shqiptarëve një alternativë e cila nuk i përket qoftë vetëm një individi, qoftë një grupi njerëzish që duan t’i shërbejnë vetëm familjeve të tyre, por të jetë një platformë politike e cila orientohet drejt qytetarit shqiptar”, theksoi Hajdari.
Murrizi edhe pse ka një histori të gjatë në PD, për momentin nuk sheh koalicion me Partinë Demokratike
“Është e vërtetë që kam 30 vjet kontribut në PD, por ajo parti që në dhjetor të 90 lindi si opozitë, dhe forcë e parë politike, antagoniste me PPSh që qeverisi për 45 vjet, sot nuk e shoh që të jetë aq antikomuniste përkundrazi nga 30 anëtarë te kryesisë se PD vetëm 3 anëtarë nuk ka lidhje me ish-PPSh”, u shpreh me tej Murrizi.
“Shpesh shqiptaret thonë që ne nuk bëhemi pjesë në parti se janë zhgënjyer, edhe nëse kanë bërë pjesë në PD, PS, LSI janë larguar prej tyre sepse në fund të ditës këto parti të vjetra janë kthyer në shpk, i shërbejnë një grupi njerëzish. Ky formacion duhet të shembet, të shkallmohet dhe t’u krijohet një platformë shqiptarëve ku ata të ndihen të përfaqësuar”, theksoi Hajdari.
Deri më tani Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi fituan betejën për hapjen e listave të kandidatëve për deputet, por beteja e tyre reale janë zgjedhjet parlamentare ku ata duhet të tregojnë se sa mbështetje merr alternative e tyre.