Dhjetëra persona janë mbledhur në qytetin e Rrëshenit për të protestuar për ngjarjen e rëndë të përdhunimit të 15 vjeçares nga 5 persona.
Policia raportoi disa ditë më parë se personat që kishin abuzuar me të miturën ishin nga 17 deri në 44 vjeç.
Mësohet se qytetarët, të cilët kanë shkuar në Rrëshen nga disa qytete të vendit, pasi ka pasur organizim me autobusë, janë nisur nga sheshi kryesor dhe po marshojnë drejt komisariatit të Policisë Rrëshen.
Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë: Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nike Lleshi, dhe Adriano Gjikola. Ndaj tyre është caktuar masa “arrest me burg”, pasi rëndonte akuza “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur”.
Përdhunuesit dhe e mitura janë nga një fshat i Mirditës dhe banesat i kanë në një distancë të afërt me njëri-tjetrin. Personi i parë që ka abuzuar me 15-vjeçaren është Artan Kaçorri i cili kishte pasur një lidhje me të miturën ndërsa i kishte blerë asaj dhe një telefon për të komunikuar me të.
32-vjeçari, i cili është i martuar kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë e më pas ka abuzuar seksualisht me të, duke i bërë dhe video e foto intime, që më pas ia ka shpërndarë dhe 4 personave të tjerë.
Përmes videove, fotove dhe mesazheve 5 personat kanë arritur ta shantazhojnë të miturën dhe ta detyrojnë që të kryej marrëdhënie seksuale me to në mënyrë të përsëritur. Pas disa kohësh shqetësimin e vajzës kishin arritur ta kuptojnë edhe familjarët e saj, ndërsa përballë kërcënimeve të vazhdueshme edhe e mitura më në fund kishte vendosur të rrëfejë atë çfarë i kishte ndodhur.
Më pas së bashku me familjarët i është drejtuar Komisariatit të Policisë Mirditë, duke bërë denoncim. Si provë ajo ka paraqitur telefonin mesazhet, videot e fotot shantazhuese të cilët i kishin dërguar 5 personat.