Përdori metaforë fyese ndaj kuqezinjve, procedohet komentatori i njohur i RTK.
Komentatori, Andin Lokaj i Radiotelevizionit publik të Kosovës po procedohet nga ana e strukturave drejtuese të këtij institucioni pas komenteve fyese ndaj Kombëtares U21 të Shqipërisë në ndeshjen e zhvilluar të martën ndaj të rinjve të Kosovës.
Lokaj, njëri prej komentatorëve sportiv kryesor të RTK, shkaktoi polemika të martën në mbrëmje pas fitores së Kosovës U21 2:1 ndaj Shqipërisë U21 në një ndeshje kualifikuese për Euro U21. Ai ofendoi ekipin Kuqezi duke thënë se “kur kosovarët kanë luajtur futboll, Kuqezinjtë shihnin peshqit me dylbi”.
Ngadhnjim Kastrati, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, njoftoi se televizioni publik ka hapur procedurë disiplinore ndaj Lokajt.
“Lidhur me rastin e deklarimeve publike të komentatorit Andin Lokaj, RTK njofton se do të veprojë në përputhje me Standardet Profesionale të RTK-se dhe Rregullores për Përgjegjësitë materiale dhe disiplinore. Ju bej me dije se tani kanë filluar procedurat në lidhje me këtë rast”, shkroi ai në Facebook.
Komentet e Lokaj nxitën reagime. Plisat, grupi i tifozëve ultras të Prishtinës dhe Kombëtares shqiptare e shpallën person të padëshirueshëm në kryeqytetin kosovar. Po ashtu, ish-kapiteni dhe legjenda e Shqipërisë, Lorik Cana e quajti palaço Lokajn në një reagim të bërë përmes Instagramit.
Mbrëmjen e së martës, Kosova fitoi 2-1 ndaj Shqipërisë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro2023 për Shpresat.