Përfundon rehabilitimi i rrugës Vorë – Rinas – Fushë-Krujë

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Policia e Qarkullimit Rrugor bëjnë të ditur se, në vijim të njoftimeve të mëparshme lidhur me rehabilitimin e segmentit Vorë – Fushë-Krujë, sot në datë 15 nëntor 2018 ora 19:00, përfundojnë punimet asfaltike në segmentin rrugor Vorë – Kthesa e Rinasit – Fushë-Krujë.

Rruga hapet për trafikun me sinjalistikë provizore horizontale në segmentin rrugor Vorë – Kthesa e Rinasit – Fushë-Krujë, citon njoftimi i ARRSH-së. Hapja e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun edhe në aksin Tiranë – Kamëz – Fushë-Krujë, ku ishte devijuar trafiku gjatë kohës së ndërhyrjes rehabilituese në aksin e përfunduar.

Gjithashtu Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor, informojnë mediet dhe opinionin publik se duke filluar nga data 17 nëntor 2018 ora 08:00, do të mbyllet për trafikun segmenti rrugor Ura e Vorës – Dogana dhe do të fillojë ndërhyrja për riparimin e fugave të Urës së Vorës dhe të shtresave asfaltike të rrugës.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze sinjalistiken provizore të vendosur dhe udhëzimet e Policisë Rrugore në terren.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

1. Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën paralele (Vorë – ish-fabrika e tullave) mbas karburant Kastratit në drejtimin Rinas dhe Fushë-Krujë.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut. Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë, citon njoftimi për shtyp. /atsh

Loading...