Përgjysmim i tarifës për të gjithë studentët, nga janari 50% e paguan shteti

Në janar të 2019 të gjithë studentët do të paguajnë gjysmën e tarifës, ndërsa gjysma tjetër do të paguhet nga qeveria për të gjithë me 4 me 10”, theksoi sot kryeministri Edi Rama duke shtuar se kjo është e vlefshme vetëm për këtë vit akademik.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët dhe pedagogët në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, kryeministri Rama theksoi se “në vitin e ri akademik 2019-2020 do të ketë shkallëzim meritokratik, nuk ke çfarë i kërkon qeverisë, 4 nuk i merr qeveria i merr vetë, shko përmirëso notën merr kontributin e shoqërisë, nëse nuk e përmirëson notën shko bjeri në qafë prindërve”.

“Tarifa do të paguhet nga shteti, nuk do të ulet se tarifa është kosto, por shteti që të jeni të qartë, taksapaguesit e këtij vendi do të paguajnë një pjesë të tarifës së këtij vendi”, nënvizoi Rama.

Sipas tij, sot taksapaguesit e këtij vendi paguajnë 75% të kostos së studimeve tuaja, tarifa juaj është mesatarisht 25% e kostos.
“Kur flasim për shërbime më të mira krijohen me para, nuk mund të thuash të paguaj më pak se nuk i kemi shërbimet e mira dhe shërbimet të na përmirësohen. Si ndodh kjo? Shteti do të paguajë në fillim po edhe për ta me 4 do të paguajë shteti gjysmën e tarifës”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.

Rama tha se “në janar për këtë vit akademik do të paguani gjysmën e tarifave edhe për ata me katra do e paguajë shteti. Shteti nuk është qeveria, buxheti i shtetit është i të gjithë prindërve tuaj që paguajnë taksa dhe të tjerëve që paguajnë taksa Unë nuk u them dot që ata me 4 do ti financojmë ne që të rrinë në shkollë 10 vjet”.

“Për këtë vit po, vitin tjetër akademik nëse duan të dalin nga kjo zonë dhe të ngjiten më lart, nëse duan të hanë e të pinë qyl në kurriz të familjeve për të marrë katra dhe pastaj kur të dalin nga universiteti të mos i duhen as vetes as shoqërisë këtë mund ta bëjnë nëse ua lejon familja e tyre”, shtoi ai.

Por, sipas Ramës, qeveria nuk mund të marrë përsipër të marrë lekët që duhen për të tjera gjëra./ATSH

Loading...