78 vite më parë, në luftimet me okupatorët gjerman, në Penkovë të Vlorës më 31 mars 1944 ra heroikisht Komandanti i Kompanisë së tretë të Brigatës së V-të sulmuese Hajredin Beqar Bilbilaj. Me këtë rast, familjarët dhe të afërmit e Dëshmorit Hajredin Beqari, Komiteti i Veteranëve dhe Pasardhësit e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare Vlorë, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësit e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të fshatit Rromës, Bashkia Selenicë si dhe Gjimnazit “Hajredin Beqari” Selenicë, u organizua një ceremoni e thjeshtë dhe modeste.
Ceremoninë e hapi z. Bekim Pipa, zv/Kryetar i Komitetit të Veteranëve Vlorë, i cili në fjalën e vet përmendi rëndësinë e madhe të Luftës Nacional Çlirimtare. Ai falenderoi Bashkinë Selenicë dhe Kryetarin e Saj z.Pëllumb Binaj si dhe Drejtorin e Gjimanzit “Hajredin Beqari” z. Genci Xhafa për kujdesin që tregojnë për respektimin e këtyre datave historike, ku padiskutim gjaku i derdhur nga Dëshmorët e Atdheut do të kujtohen më 5 maj si anjëherë tjetër më parë.
Drejtori i Gjimanzit, z.Genci Xhafa përmendi që nga ky gjimnaz kanë marrë dije mësimore dhe kanë dalë me qindra e mijra kuadro të zotë të cilët kanë drejtuar dhe drejtojnë shumë institucione shtetërore. Për jetën dhe veprimtarinë e Hajredin Beqarit foli Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore të fshatit “Rromës” z. Shpëtim Canaj, i cili në fund të fjalës së tij, i propozoi Komitetit të Veteranëve që në bashkëpunim edhe me Shoqatën e fshati Rromës si dhe me mbështetjen e Bashkisë Selenicë, të përpilojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe ti propozohet institucionit të Presidencës që Dëshmorit Hajredin Beqarit ti akordohet titulli i lartë “Hero i Popullit”.
Në emër të Bashkisë Selenicë i përshëndeti të pranishmit Kryetari i saj z. Pëllumb Binaj i cili nga ana e vetë e quajti këtë përkujtimore modeste por të shkëlqyer për mesazhin që ajo përcjell. Kryetari i Bashkisë z. Binaj mori përsipër që institucioni që ai drejton do të bëj të mundur restaurimin e të gjithë Lapidarëve të dëmtuar nga koha. Në emër të familjarëve të Dëshmorit Hajredin Beqar Bilbilaj i falenderoji të pranishmit nipi i tij, z.Vullnet Bilbilaj. Gjatë ceremonisë të pranishmit ndoqën një program artisik të organizuar nga nxënësit e gjimnazit “Hajredin Beqari” si dhe nga grupi lab i fshatit Rromës.