Përmbytje katastrofike në Australi/ Rrugët kthehen në lumenj, shtëpitë merren nga rryma

Bregu lindor i Australisë është përballur me shira të rrëmbyeshëm të shtunën, të cilët kanë shkaktuar edhe një valë përmbytjesh që kanë çuar në evakuimin e shumë rajoneve, ndërkohë që rrjedhat e ujit tërhiqnin me vete shtëpi, mbulonin rrugë, izolonin qytete dhe ndërprenë edhe linja energjie.

Në Sidnei, qytetin më të madh të vendit, autoritetet i kërkuan njerëzve të qëndrojnë në shtëpi pasi një digë e madhe është mbingarkuar dhe një minitornado u regjistrua në pjesën perëndimore të qytetit.

Pjesa më e madhe e brigjeve në shtetin e New South Wales, që mban një të tretën e 25 milionë banorëve të Australisë, ka parë reshje rekord shiu gjatë marsit dhe autoritetet kanë paralajmëruar se mot i ngjashëm do të vazhdojë edhe për disa ditë.

Zyrtarët lëshuan urdhra evakuimi në 15 zona të vendit. Pamjet në televizione tregonin dëmet e mëdha në të gjithë shtetin me ujin që kishte mbuluar shtëpitë deri tek dritaret, me njerëzit që përdornin kajakë për të kaluar rrugët dhe me rrëshqitje dheu. Një video madje tregonte edhe një shtëpi të tërë që merrej me vete nga rrjedha.

Mediat lokale raportuan se pronarët e shtëpisë ia kishin dalë mbanë të shpëtonin.

Loading...