Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të shtetarit, diplomatit e poetit Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës, vendlindjen e këtij personaliteti të shquar.
Busti i Ali Asllanit është realizuar nga Skulptori i Popullit Muntaz Dhrami.
“Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë. Por, rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e virtyte. Ali Asllani është njeri prej tyre.
Ali Asllani ishte një personalitet poliedrik, poet, artist, shtetar, administrator dhe diplomat i shquar. Ai ishte një “dhuratë” e Vajzës, Labërisë dhe Vlorës për Shqipërinë”, – u shpreh kryetari i Kuvendit.
Në ceremoni ishin të pranishëm banorë të krahinës, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë, intelektualë dhe personalitete të njohur të artit, kulturës dhe politikës.
“Me veprimtarinë e tij si kryebashkiak e administrator Ali Asllani krijoi një model të shkëlqyer të funksionarit publik në shërbim të qytetarëve. Me veprimtarinë diplomatike Ali Asllani krijoi modelin e diplomatit patriot në shërbim të interesave të larta të atdheut. Me artin dhe poezinë e tij krijoi një udhë-hartë për të ndërtuar një shoqëri me drejtësi sociale dhe një “Manual” për të bashkëpunuar me qytetarët, fisnikët dhe bujarët e këtij vendi, kundër zuzarëve, maskarenjve dhe shushunjave të korrupsionit. Mesazhet e veprës së Ali Asllanit janë sot tepër aktuale.”, theksoi në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./atsh