Për shkak të mbylljes së restoranteve por dhe uljes së fuqisë konsumatore, peshkatarët shprehen se po falimentojnë dhe për këtë kërkojnë mbështetje nga shtetit.
Ata shprehen se çmimin e naftës e paguajnë më shumë se jahtet që vijnë të furnizohen në Sarandë.
Nafta me çmim të papërballueshëm ka bërë që peshkatarët në Sarandë të dalim më rrallë në det, duke e bërë të vështirë kështu edhe sigurimin e pagesës për punëtorët.
Gjithashtu ata shprehen se pavarësisht se hanë të siguruar asnjëri prej tyre nuk ka përfituar pagën e luftës.
Nga porti i peshkimit ata kërkojnë që qeveria të ndërhyjë për këtë çështje.
“Kemi një problem për punën e karburantit dhe e marrim me çmim shumë të lartë edhe pse çmimi ka rënë shumë në bursa ndërkombëtare.
I kërkojmë qeverisë ta shikojnë me prioritet këtë çështje.
Shikoni problemin e karburantit pasi jemi drejt falimentimit”, tha një peshkatar.
Ata thonë se po dalin një herë në 3-4 ditë në det pasi nuk kanë se ku ta shesin mallin e tyre dhe kjo po i çon drejt falimentit.
Mbyllja si pasojë e pandemisë e restoranteve, ulja e konsumit familjar, mungesa e tregut dhe çmimet e larta të naftës janë disa nga arsyet që peshkatarët deklarojnë se po i çojnë drejt falimentimit.