Pezullohen nga detyra 4 policë,lejuan kultivimin e ka.nabisit

Korçë – SHÇBA ndalon 2 punonjës policie, të dyshuar si të implikuar në kontrabandë me mallra në P.K.K. e Gorricës

Gjirokastër – Pezullohen 4 punonjës policie dhe 1 shtetas u shpall në kërkim, pasi dyshohen se lejuan kultivim të narkotikëve

Korçë

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në vijim të hetimeve për procedimin penal për kalim të mallrave kontrabandë në Pikën Kufitare të Gorricës, ekzekutoi vendimet penale me masa sigurimi personal “Arrest me burg” për punonjësit e policisë:
– Inspektor V.Ç., me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në P.K.K-Gorricë;
– Inspektor V.D., me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në P.K.K-Gorricë.

Në vijim të operacionit të datës 7 dhjetor 2019, ku u sekuestrua një sasi mallrash kontrabandë dhe u arrestuan në kushtet e flagrancës 3 punonjës policie, efektivë të P.K.K. Gorricë, për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SHÇBA vijoi hetimet dhe rezulton e provuar se kjo veprimtari e kundra-ligjshme funksiononte në formën e një mekanizmi të mirë-organizuar.

Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me doganierë, por dhe me disa shtetas, në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra në P.K.K. Gorricë, lejonin e favorizonin futjen e automjeteve me mallra kontrabandë ose mallra, të cilat nuk lejohen të futen në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve monetare.

Duke përmbushur rolin e tyre në këtë veprimtari të kundra-ligjshme, dy punonjësit e policisë V.Ç. dhe V.D., në cilësinë e kontrollorëve, regjistronin të dhëna të rreme në sistemin TIMS duke tjetërsuar targën dhe llojin e automjetit. Kjo me qëllim favorizimin e kontrabandës në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare.

Gjirokastër

Drejtoria Hetimeve e SHÇBA ne bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Vlorë-Gjirokastër ekzekutoi vendimet penale të masave të sigurimit personal (ndaluese) të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për 4 punonjës policie, me masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi”, të dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”:

– N/Komisar U.Sh., me detyrë, ish-Shefi i Stacionit të Policisë Dropull;
– N/Komisar E.R., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dropull;
– Inspektor H.L., me detyrë SPZ në Stacionin e Policisë Dropull;
– Inspektor S.B., me detyrë ish-oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Dropull.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.G., nga Lazarati, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg”.

Këto veprime proceduriale janë vijim i hetimeve të kryera në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019, i cili bën fjalë për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e “Shpërdorim detyre”. Në datën 23 korrik 2019, në kuadër të këtij procedimi, në fshatin Hllomo, Njësia Administrative Pogon u finalizua një operacion në të cilin u asgjësuan disa bimë narkotike, të llojit kanabis.

Ky procedim është ndjekur me metoda pro-aktive dhe gjatë hetimeve janë grumbulluar fakte dhe prova, të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se këta punonjës policie, me veprimet dhe mosveprimet në mos-përmbushje të detyrës funksionale dhe me qëllim përfitimin e paligjshëm kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Loading...