Policia e Shtetit reagon pas ngjarjes së ndodhur së ndodhur sot në Tiranë, ku punonjësit e policisë dhunonin një të ri, pasi i kishin vënë prangat.
Policia thekson se dy të rinjtë kanë tentuar të godasin me automjet punonjësit e policisë, duke iu rrezikuar jetën. Pas kësaj, policët i kanë ndjekur dhe ndaluar, por dy personat janë përfshirë në konfrontim fizik me punonjësit e Patrullës.
Lidhur me ngjarjen, policia ka pezulluar nga detyra dy punonjës të policisë, si dhe ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre për shkelje të etikës së punonjësit të Policisë dhe për tejkalim kompetencash gjatë ushtrimit të detyrës.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka bërë pezullim nga detyra të dy punonjësve të Policisë dhe ka nisur hetimin disiplinor, për shkelje të etikës së punonjësit të Policisë dhe për tejkalim kompetencash gjatë ushtrimit të detyrës.
U pezullua nga detyra R. C., punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1, për tejkalim të kompetencave. Gjatë përpjekjeve për të shoqëruar dy shtetas të cilët nuk i ishin bindur urdhrit për të ndaluar, këta të fundit kanë tentuar t’i godasin me automjet punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Policisë, duke iu rrezikuar jetën. Punonjësit e Policisë i kanë ndjekur dhe ndaluar, por dy personat janë përfshirë në konfrontim fizik me punonjësit e Patrullës.
Në ndihmë të tyre shkuan forcat “Shqiponja”, duke bërë të mundur shoqërimin në Komisariat të dy shtetasve E. S. dhe XH. S., për veprime të mëtejshme.
Ndërsa punonjësi tjetër i Policisë i pezulluar është A. R., efektiv i Komisariatit të Policisë Nr. 2, i cili ka qenë duke kryer shërbim pranë një objekti të rëndësisë së veçantë dhe gjatë komunikimit me një shtetas, rojë i një parkingu, për të hequr makinën të cilën ky shtetas e kishte lejuar të parkohej pranë objektit të rëndësisë së veçantë, ka shkelur etikën e komunikimit dhe të sjelljes së punonjësit të Policisë.
Policia e Shtetit ështe e vendosur të reagojë menjëherë dhe me paanshmëri, duke ndëshkuar apo larguar nga radhët e saj cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën në dëm të qytetarëve, si dhe të prishjes së imazhit, marrëdhënieve dhe besimit mes Policisë dhe qytetarëve.
(BalkanWeb)