Piktura (vaj në kanavasë 33 x 53 cm) është realizuar nga Edward Lear në prill 1857, gjatë një udhëtimi të shkurtër në Treishujt (Ksamili i sotëm) në veri të Butrintit në Shqipëri. Lear lundroi për aty nga Korfuzi, ku kishte marrë një shtëpi për të dimëruar gjatë atij viti.
“Ishim aty në 2 prill. Shkuam me varkë duke marrë me vete kutinë e ushqimeve, shtretërit tanë, letrën për vizatim etj. Edwards kishte marrë me vete edhe shërbëtorin e tij, Filipo (një maltez). Bëmë një udhëtim të shkëlqyer dhe të qetë në vetëm 3 orë dhe u ankoruam në portin e vogël të Treishujve – duke shijuar të gjithë pasditen, duke bërë vizatime – nën pesiazhin e gjerë e të bardhë, i gjithi në lulëzim – shijuam një darkë të rehatshme dhe një natë të qetë” (Edward Lear, “Vitet e Korfuzit”, Athinë 1988, fq. 108).
Udhëtimi u mbështet nga James Bevan Edwards (1834-1922), më vonë oficer i lartë në ushtrinë britanike dhe politikan, i cili ishte biri i Samuel Price Edwards, një mbështetës i fortë i Lear-it, dhe që kishte një koleksion të punëve të tij, ku përfshiheshin ndër të tjera vizatime e piktura të realizuara në Korfuz (1859), Torino (1862) dhe Jerusalem (1862) e që tashmë janë në Muzeun Ashmolean, në Oksford.
Lear e kishte bërë udhëtimin e tij të parë në Shqipëri nga mesi i shtatorit deri në nëntor 1848, duke shkelur në zona ku më parë shumë pak të huaj kishin kaluar dhe qëndruar. Ai e gjeti në ata zona peisazhe e pamje interesante:
“Ju keni brigje shkëmbore madhështore; kështjella të larta e të zymta; pallate gjithë shkëlqim e luks; kodra e male si në rajonet me dëborë të Zvicrës; gjire të thellë e det blu me ishuj të ndritshëm e të qetë që qëndrojnë në horizont; livadhe të pafundme me bar; qytete e fshatra; shpate të veshur me ullinj dhe maja të larta malesh me borë; – e mbi të gjitha një shumëllojshmëri njerëzish të veshur me kostume me ngjyra që mahnisnin dhe që janë frymëzim për çdo artist në çdo hap që ai hedh”. (Edward Lear, Shënimet e një Piktori Peisazhist në Shqipëri, Londër 1851, f. 4-5)./Nga Adi Darsi