Pipero: ‘Vala e dytë mund të jetë më e dobët’

Në spitalet ku po kurohen të sëmurët me Covid-19, janë disa skemat e mjekimit që po ndiqen nga stafi shëndetësor.

Baza e trajtimit mbetet hidoksiklorokina, e cila kombinohet me medikamente të tjera, që ndryshojnë nga një pacient te tjetri.

Në një bisedë në Skype me studion e lajmeve në TemA TV, mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, tha se janë disa faktorët që përcaktojnë se cila skemë mjekimi ndiqet me secilin pacient.

“Skema e mjekimit që aplikojmë është në varësi të gravitetit, të moshës dhe sëmundjeve shoqëruese.

Janë disa skema mjekimi.

Baza e trajtimit është ajo me hidroksiklorokinë, azitromicinë, oksigjenoterapia, antikolagulantët ose holluesit e gjakut.

Sipas rastit, edhe antibiotikët. Krahas hidroksiklorikinës, që është hë për hë skema bazë, kemi edhe antiviralë të tjerë si Kaletra ose Tamivir. Skemat e mjekimit janë të ndryshme në varësi të sëmundjes”, tha Pipero.

A ekziston mundësua e rikthimit të Covid-19 për herë të dytë te i njëjti pacient? Në mediat botërore ka pasur raportime të tilla, pavarësisht se kanë qenë raste të rralla.

Por për Piperon, kjo shpjegohet më shumë me një riaktivizim të infeksionit, i cili mund të ketë qenë prezent te pacienti.

“Ka shumë diskutime në këtë drejtim. Mendoj që rastet e riinfektuara më tepër kanë pasur një relaps apo riakutizim të sëmundjes, apo nuk janë shëruar mirë sesa janë riinfektuar.

Rënia në kontakt me virusin stimulon prodhimin e antikorpeve. Sesa ato bëhen imunitet i qëndrueshëm, kjo do disa muaj të studiohet.

Në opinionin tim, rastet e rikthimit janë shumë të rralla”, tha ai.

Loading...