Pneumologu i njohur: Koronavirusi qëndron aktiv me ditë, mund të kemi deri në 270 persona të infektuar

Pneumologu i njohur, Perlat Kapisyzi duke folur për rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga përhapja e coronavirusit, shprehet se ka besim tek masat që janë marrë dhe tek formimi i mjekëve që do të jenë në linjën e parë për përballimin e situatës. Z. Kapisyzi gjatë intervistës për Euronews Albania shpjegoi se, virusi COVID-19 përhapet kryesisht përmes spërklave dhe nga kontakti fizik, ndaj këshillohet të mbahet një distancë dy metra.

“Virusi qëndron aktiv me ditë. Virusi mbështillet nga një membranë yndyrore dhe është sensitiv nga sapuni. Thjesht një larje duarsh me sapun është më efikase se sa bërja me solucione’, u shpreh doktori.

Me rëndësi është dhe dezinfektimi i ambientit, pasi virusi tha z. Kapisyzi është gjetur dhe në dorezat dhe kapakun e tualetit apo parmakun e dritares, grilën e respiratorit. Mjeku i njohur deklaron se, është shumë e rëndësishme që njerëzit të kufizojnë lëvizjet pasi një person i infektuar rrezikon t’ua transmetojë virusin dy personave të tjerë.

“Një burim infekton dy të tjerë, është një shpërndarje që e bën të vështirë kufizimin. Nëse në epideminë e gripit, komuniteti ka një imunitet në rastin e COVID-19, komuniteti nuk ka imunitet social. Do tu bëjë një thirrje bashkatdhetarëve jashtë dhe brenda qëndroni aty ku jeni, mos lëvizni. E kërkoj këtë gjë përulësisht si njeri dhe forcërisht si profesionist”, tha z. Kapisyzi.

Pyetjes se deri në çfarë shifre mund të arrijë numri i personave të prekur nga coronavirusi në Shqipëri, doktori duke iu referuar rasteve në Itali, u përgjigj se mund të ketë diku tek 270 persona të infektuar.

“Le të marrim aeroportin e Romës, ku në vit kalojnë rreth 44 milionë pasagjerë, të paktën në 2019, ndërkohë Italia është tek 60 milionëshi. Ndërsa ne kemi në viti 3.6 milionë… pra ne kemi ngjarjen që në Romë ndodh në një muaj. Me një përllogaritje të thjesht me rregull treshi, do të dilte diku tek 277. Por nuk mund ta marrim kështu. Këtu ka shumë rëndësi zhvendosjet dhe kontaktet që kanë pasur burimet e infeksioneve”, deklaroi mjeku pneumolog.

Sa u takon personave që janë prekur tashmë, vetëm një prej tyre paraqitet në gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi ka komplikacion pulmunar. Për simptomat që shfaq një i infektuar, doktori veçoi faktin se coronavirusi shoqërohet me kollë të thatë dhe temperaturë.

Duke iu referuar shifrave në Kinë, vend që është prekur i pari nga ky virus, z. Kapisyzi tha se, numri i vdekjeve në Wuhan është 2.5% e të infektuarve kurse në provincat për rreth vetëm 0.5%.

Loading...