Edison Harizaj i njohur ndryshe si “Edison faqedjeguri” dhe Genci Caca janë viktimat e një atentati të disa ditëve më parë të ndodhur në afërsi të mbikalimit të Plepave, në Durrës.
Ata ishin duke udhëtuar me një automjet tip “Audi A8L” kur një makinë i ka dalë para dhe një tjetër i ka zënë pritë, teksa drejt tyre u zbrazën rreth 50 plumba.
Para se të bëheshin shënjestra të një atentati, Harizaj dhe Caca kishin darkuar me disa shokë në një lokal në periferi të Tiranës.
Besohet se edhe autorët, ende të paidentifikuar, të jenë nisur nga Tirana drejt Durrësit, duke zgjedhur qytetin bregdetar si më të përshtatshmin për ekzekutimin.
Disa dëshmi të reja janë siguruar nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e ndodhur të disa ditëve më parë.
Referuar dëshmive të personave të fundit me të cilët Harizaj është shoqëruar, një burim policor tha për ABC News, se ai kishte pikasur ndjekjen.
“Il Padrino”, i njohur në Vlorë si person i rrezikshëm, është shprehur te një miku i tij:
Po më ndjekin, kam parandjenjë të keqe”.
Automjeti ishte gjysmë i blinduar, por kjo gjë nuk mundi të shpëtonte Harizajn nga breshëria e plumbave.
Ndërkohë policia ka siguruar një dëshmitar, i cili flet për disa autorë pjesëmarrës në krim.
Veç atyre që qëlluan makinën, një tjetër makinë ka mbikëqyrur veprimet. Kur makinat e viktimave dhe e autorëve u futën në rrugën dytësore, një makinë e tretë, ka qëndruar pak sekonda në anë të rrugës kryesore. Sapo është kryer ekzekutimi, ajo ka lëvizur në drejtim të Plepave.
Në makinën e Harizajt, i njohur edhe si shoku i Emiljano Shullazit, policia ka gjetur tre celularë, dy të Harizajt dhe një i Cacës. Të tre të koduar./shqiperiaime