‘Po mora vesh se ua jep të tjerëve para meje do e kesh punën keq’, si u kërcënua ish-prefekti nga fajdexhiu

Fenomeni i fajdes nuk është një krim i izoluar shqiptar. Ekspertë të ekonomisë thonë se fajdeja është formalizuar si një krim atipik, brenda të cilit marrëdhënia fajde-fajde nuk është menjëherë e dhunshme dhe zhvatëse, por e strukturuar në terma formalisht kontraktuale ,prania e fajdexhinjve është e ndryshme, duke filluar nga ata më të vegjlit e deri te organizatat kriminale, ku shpesh dhënia e parave hua shërben si një terren takimi midis krimit të zakonshëm dhe krimit të organizuar, duke shënuar kështu kalimin dhe ndërthurjen e ligjshmërisë dhe të paligjshmërisë.

Vetëm në Itali, sipas një investigimi të siguruar nga autoritetet vendore, mbi 200 mijë tregtarë, kanë rënë pre e fajdeve, një shifër me të vërtetë shqetësuese që mendohet, se në gadishullin Apenin, kap shifrën monstruoze të 100 miliardë eurove ose 7 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto kombëtar.

Ndërkohë që kriza globale pritet t’i japë këtij fenomeni, një hov të ri, gati të paparashikueshëm, në Shqipëri, duket se statistika të tilla mungojnë.

Ndërsa të dhënat e Bankës së Shqipërisë përcaktojnë se gjatë vitit pandemik 2020, sasia e parasë jashtë sistemit bankar në Shqipëri arriti vlerën rekord të 324.6 miliardë lekëve ose 2.6 miliardë euro.

Por fenomeni i fajdeve edhe pse i padukshëm ngre krye shpesh dhe na tregon se është aty, edhe nëpërmjet formave më të dhunshme.

Artan Gjergji, Financier i lartë

“Qëllimi i tyre është pikërisht ky, t’i falimentojnë, ose t’i vendosin me shpatulla pas muri edhe në mënyrë indirekte t’u marrin biznesin. Dhe kjo ka forma nga më të ndryshmet, dikush me dhunë, dikush me forma të paligjshme të cilat nuk deklarohen kurrë sepse biznesi normalisht është njeriu që punon me djersë ndërkohë që përballë ka struktura kriminale të cilat i kërcënojnë me jetë, i kërcënojnë me pengmarrje, dhe kemi ngjarje të tilla plot për shkak të detyrimeve të papaguara”.

Por për të mbetur te Shqipëria, sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, ky fenomen me vendin tonë duket të jetë tashmë jashtë kontrollit dhe sidomos, për këtë ka shërbyer dekada e fundit, ku krimi ka njohur rritje, bashkë me fenomenin e fajdeve.

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë

“Ky fenomen ka qenë masiv përpara krizës së vitit 1997. Pavarësisht kësaj për shkak të volumit të madh të parave që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare por edhe të pompimit të parave me origjinë kriminale sidomos gjatë dekadës së fundit ka ushqyer ndër të tjera përveç investimeve dhe këtë formë të qarkullimit të parave jashtë kanaleve bankare, pra dhënies së parave me fajde siç thotë populli”.

Por, Nikla, e lënë si një territor ku sundon paraja e pistë dhe terrori i armëve, duket të mos jetë lokaliteti i vetëm ku gëlon krimi i fajdeve.
Një tjetër qytet dhe një tjetër skemë fajdesh, e cila disa vite më parë, doli jashtë kontrollit, dhe i la vend kërcënimit dhe plumbave, ishte edhe Shkodra.
Qyteti më i madh, dhe më i rëndësishëm, në veri të vendit, ku vitet e fundit terrori i ka zënë vendin rendit dhe sigurisë. Skema fajdesh, ku dolën se ishin të përfshirë direkt dhe indirekt, me dhjetëra personazhe publikë dhe jo publikë të qytetit, midis tyre avokatë, drejtorë institucionesh, krerë bandash.

“Nga veprimet e kryera me mjete të hetimit proaktiv, është bërë evidente veprimtaria e disa personave të përfshirë në skema të dhënies së shumave të mëdha të vlerave monetare hua, të dhëna me interesa shumë të larta, që sipas informacioneve të para kanë variuar nga 3 deri në 20 përqind në javë.
Sipas informacioneve të para, dhënia e këtyre shumave bëhej kundrejt vendosjes peng të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme shtetasve huamarrës, të cilëve u merrej pasuria, nëse nuk përmbushej detyrimi monetar në afatin dhe masën e caktuar”.

Sipas hetimeve të prokurorisë, mbi të gjithë, ata që dallonin në këtë skemë grabitëse fajdesh, ishin dy vëllezër, Elton dhe Robert Radovani, djemtë, e ish-prefektit të Shkodrës Paulin Radovani.

Elton Radovani u arrestua në vitin 2019 në një autostradë në Paraguaji pas një urdhri ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Tirana në akuzën, për mashtrime bankare dhe financiare, por që nuk u ekstradua në Shqipëri.
Ndërkohë që bashkë me të i akuzuar u mor edhe vëllai i tij, Roberti, i cili u hetua po ashtu për mashtrim dhe borxhe të pashlyera që shkonin në shifra marramendëse.

“Paulin Radovani dhe dy djemtë e tij Robert Radovani dhe Elton Radovani banues në qytetin e Shkodrës kanë marrë vlera monetare hua dhe me përqindje, personave të ndryshëm. Ata nuk kanë arritur t’i shlyejnë këto hua dhe disa prej personave të dyshuar kanë kërcënuar Paulin Radovanin duke i kërkuar t’i marrin peng pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, është pikërisht kjo skemë, e kreditimit të parave në tregun e zi, që çon edhe në akte kriminale. Gjë që po bëhet gjithmonë e më e dukshme në Shqipëri, ku një sistem paralel me atë bankar, duket se po lulëzon prej kohësh.

“Në tërësi ky aktivitet është pjesë e ekonomisë kriminale dhe lulëzimi i tij është tregues i përkeqësimit të qeverisjes në tërësi, i largimit të mbikëqyrjes të bankës qendrore në veçanti.
Investimi i parave në këtë mënyrë, pra përdorimi i tregut të zi të kreditit çon në konflikte sociale, çon në akte të dhunshme, çon në rrëmbime, kërcënime, shantazhe, për fat të keq në disa raste dhe në vrasje”.

E tillë ishte sipas prokurorisë, edhe skema e dhënies së parave me fajde në Shkodër, që futi në dëshpërim me dhjetëra familje në këtë qytet, të cilat ishin të detyruara që për të mbyllur vështirësitë financiare ku ndodheshin bizneset e tyre, të paguanin në një javë të vetme, deri në 20 përqind të shumës së marrë me fajde.

Situata u bë kaq e rëndë, sa shumë prej këtyre familjeve mësohet se në pamundësi për të shlyer paratë e marra me fajde, kishin dorëzuar te fajdexhinjtë, pronat e tyre. Skemë, ku ishin të përfshirë edhe noterë të qytetit.
Pas përgjimeve të policisë, rezultoi se në momentin që sipërmarrësit nuk shlyenin dot shumën e marrë, vihej në funksionim skema për përvetësimin e pronave të tyre.

Fajdexhinjtë u merrnin personave të zhytur në vështirësi, banesat, pronat, apo gjithçka që këta të fundit kishin lënë si garanci përballë noterëve.

“Vështirësimi i kushteve për të marrë kredi në rrugë normale i shtyn sipërmarrësit dhe familjarët tek kreditë konsumatore, drejt atyre agjencive që janë jashtë rregullimit ligjor, jashtë rregullimit nga banka e Shqipërisë, jashtë mbikëqyrjes së enteve përgjegjëse përkatëse shtetërore.
Në qoftë se shohim format që shfaqet dhënia e parave me fajde konstatohet që një kategori përdorin një klauzolë të kodit civil për dhënien për përdorim, pra përdoret sistemi i noterisë, këtë pjesë zakonisht e mbulojnë njerëz politikë, apo me të shkuar politike”.

Sipas të dhënave që disponon “Në shënjestër”, në rastin e Shkodrës, denoncimi i parë erdhi nga vetë babai, i vëllezërve Radovani që dikur, kishte mbajtur postin e Prefektit të Qarkut.
Paulin Radovani, i cili po kërcënohej vazhdimisht nga fajdexhinjtë e djemve të tij, të cilët kishin marrë shuma të mëdha parash, kundrejt interesit, por që nuk kishin mundur t’i shlyenin.

Më herët, përpara se të trokiste në komisariatin e policisë Shkodër, ku kishte denoncuar kërcënimet që i vinin nga fajdexhinjtë e djemve, ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani thuhet se kishte takuar në vitin 2018 edhe zyrtarë të lartë të shtetit, ku i kishte njoftuar mbi përhapjen masive të fenomenit të fajdeve në Shkodër, ndërsa u kërkonte mbrojtje, me qëllim denoncimin e plotë të kësaj skeme që po rrënonte jo vetëm familjen e tij, por edhe shumë të tjera në qytet.

“Paulin Radovani, gjatë shpjegimeve të dhëna më 7 Mars 2019, dha informacione të detajuara në lidhje me huamarrjet, rrethana të mësuara pas largimit të djemve të tij nga Shqipëria. Këto rrethana kishin të bënin me faktin së fëmijët e tij i kishin marrë hua personave të ndryshëm, shuma të mëdha monetare; shuma të marra më interesa të larta (fajde).
Për shkak të këtyre interesave të larta, të cilat sipas këtij shtetasi varionin nga 3 deri në 20 përqind, detyrimet ndaj këtyre shtetasve ishin rritur në vlera shumë të mëdha. Ndodhur në kushtet e këtyre detyrimeve të mëdha monetare, djemtë e Paulin Radovanit të kërcënuar nga huadhënësit për mosshlyerjen e detyrimeve monetare, ishin larguar nga Shqipëria. Pas largimit të tyre, në ambientet e punës së shtetasit Paulin Radovani, kanë shkuar persona të ndryshëm, të cilët kërkonin pagimin e vlerave të larta të huas së dhënë dhe interesave nga kjo hua”’

Do të ishte pikërisht ky kallëzim, dhe ky moment, kur personat që kërcënonin familjen Radovani, u mbajtën në përgjim. Përgjimet zbuluan edhe përmasat e përhapjes së fajdeve në Shkodër.

Një nga këto persona që kishin llogari të hapura me familjen Radovani, do të ishte edhe Burhan Aliaj, i cili, sikundër del në dosjen hetimore, kërcënonte shpesh me jetë babain e vëllezërve Radovani, që tashmë ishin zhytur në gropën e fajdeve.

“Një nga shtetasit që rezulton se jepte para me fajde është edhe Burhan Aliaj. Nga komunikimi i datës 25 Janar 2019, rezulton se Paulin Radovani është telefonuar nga Burhan Aliaj. Gjatë kësaj telefonate, Burhani i kërkon më këmbëngulje lekët që i ka dhënë me përqindje, duke e kërcënuar, ku i thotë që ‘po mora vesh se ua jep të tjerëve para meje do e kesh punën keq’.

Paulin Radovani, pohoi para hetuesve, se e njeh shtetasin Burhan Aliaj, i cili thirrej ndryshe si ‘Byl Katunari’, dhe djalin e tij Jonuz Aliaj.

Ai tregoi më pas, se këtyre dy shtetasve, u kishte lënë bashkë me djalin e tij, pranë një karburanti të vogël në lagjen ‘Iliria’, një këst të fajdeve.

Por më pas Burhani, ishte interesuar për borxhin, dhe pretendonte një shumë prej 44 mijë eurosh”.

Sipas dosjes hetimore, dhe pas bisedave të përgjuara, del qartë se Burhan Aliaj u jepte para me fajde me përqindje në shuma të konsiderueshme, shtetasve të ndryshëm.

Gjatë vëzhgimeve të kryera nga policia, atij iu gjetën në një pikë karburanti, 11 makina, të modeleve të ndryshme.

Automjete që figuronin të regjistruara në emër të Burhan Aliaj dhe Jonuz Aliaj, por që rezultoi se ishin lënë peng nga shtetas të ndryshëm të cilët nuk kishin mundur të paguanin paratë e marra hua me interes, ndaj për këtë arsye u ishin mbajtur peng automjetet e tyre.

Po kështu, nga aktet e administruara nga Bankat e nivelit të dytë dhe nga kontrolli i banesës së shtetasve Burhan dhe Jonuz Aliaj, rezultoi se Burhan Aliaj kisha disa depozita bankare.

“Nga kontrolli i banesës së shtetasit Burhan Aliaj është gjetur një akt në dorëshkrim i datës 2 Tetor 2010, ku shtetasit F. D., i është marrë banesa nga shtetasi Burhan Aliaj për shkak të borxhit të pashlyer. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan, deklarata me dorëshkrim e lëshuar nga shtetasi N. K., për shtetasin Burhan Aliaj, për borxhin që djali i N.K. i kishte Burhan Aliajt. Deklaratë me dorëshkrim e datës 17 Gusht 2017 e shtetasit A. RR., që vërteton marrjen e shumës prej 5 000 eurosh ndaj shtetasit Burhan Aliaj. Deklaratë e lëshuar nga G. M., për shtetasin Burhan Aliaj për marrjen hua të një shume parash. Si dhe kontratë shitblerje pasurie të paluajtshme me shtetasen R. P., për shitjen e pasurisë së paluajtshme shtëpi dhe truall”.

Pas datës 25 Janar 2019 të gjitha takimet e zhvilluara në këto ambiente janë vëzhguar, regjistruar me video dhe audio. Gjatë këtyre veprimeve dhe përgjimit të bisedave telefonike të disa prej të dyshuarve, rezultuan fakte të qarta të mënyrës së zhvillimit të veprimtarisë kriminale nga këta shtetas. Kjo veprimtari u evidentua fillimisht me shtetasin Paulin Radovani dhe në vijimësi të hetimeve rezultoi se kishte një shkallë shumë të madhe përhapje tek shumë shtetas”./ Marrë nga BW, emisioni “Në Shënjestër”

Loading...