Mediat raportojnë se për mbarëvajtjen e tubimit policia ka hartuar një plan masash për ruajtjen e institucioneve dhe rendit publik. Pritet të angazhohen rreth 1000 forca policie, të cilat do të dislokohen pranë kryeministrisë dhe në institucionet e tjera përgjatë bulevardit.
Do të jenë të angazhuar punonjësit e rendit, forcat shqiponja dhe FNSH. Policia kriminale nuk ka informacione për incidente. Shpërndarja e uniformave blu pritet të jetë e ngjashme me protestat e mëparshme.
Përballë protestuesve do te krijohet një kordon që do të jetë përgjatë perimetrit te kryeministrisë. Kordoni do të jetë me policët e rendit ( mes tyre dhe femra) dhe ata shqiponja, ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri në pjesën e pasme. Ne gatishmëri pranë godinës së Kryeministrisë do të jenë edhe Garda e Republikës.
Siç parashikon ligji për tubimet ne gatishmëri do të jenë dhe zjarrfikëset dhe ambulancat. Kufizime për qarkullimin rrugor do të ketë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” dhe në rrugët lidhëse me të. Autobuzët nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga pjesa veriore do të parkohen tek stadiumi “Asllan Rusi”, ndërsa nga ana veriore tek Fakulteti Ekonomik.