Policia ka ndaluar 24 persona gjatë javës që lamë pas për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas bluve të Tiranës, 15 persona nga të arrestuarit janë kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur ndërsa 9 të tjerë kanë qenë duke udhëtuar pa patentë.
Ndërkohë janë pezulluar 87 patenta si dhe janë 12 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjetit ose ishin të çregjistruara në vendet e origjinës.
Policia ka bllokuar edhe 16 automjete luksoze për mungesë dokumentacioni dhe me targa të huaja të cilat po verifikohen.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet e dedikuara nga Policia Rrugore e Tiranës me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor.
Gjatë javës që lamë pas, nga shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, janë arrestuar dhe proceduar për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, 24 persona, nga të cilët 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Si rezultat i kontrolleve parandaluese, janë goditur 2 raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjatë javës janë pezulluar 87 leje drejtimi, të ndara sipas shkeljeve: 33 për “Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit”, 39 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 15 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë tërhequr 12 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjetit ose ishin të çrregjistruara në vendet e origjinës.
Janë bllokuar 16 mjete luksi, për mungesë dokumentacioni dhe me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
Janë vendosur 6323 masa administrative, me një mesatare 903 masa në ditë, konkretisht:
– 91 masa për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike;
– 76 masa për mosrregullim të shpejtësisë/gara shpejtësie;
– 87 për xhama të zinj;
– 307 masa për parakalime të gabuara;
– 1169 masa për përdorim të aparatit të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
– 525 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit (nga këto 187 pasi pasagjerët në mjet, nuk kishin vendosur rripin e sigurimit);
– 68 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
– 52 masa për shkelje të semaforit;
– 69 masa administrative për mungesë siguracioni;
– 3879 për qëndrim/pushim të gabuar të mjetit dhe për shkelje të ndryshme.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon përdoruesit e rrugës që kanë zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri.