Policia nuk do të ketë festë, por shërbim

Në ditët e para të janarit ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj do të ketë në duar për ta bërë publik bilancin e policisë së Shtetit në vitin 2019, e megjithatë, nga treguesit e deritanishëm, ai tha se siguria publike ka qenë në nivelet më të mira historike.

“2019-a ka qenë vit i ngarkuar, po i afrohemi mbylljes së vitit me tregues optimistë sa i takon progresit të bërë. Treguesit e sigurisë publike janë në nivelet më të mira historike”, tha Lleshaj.

Synimi i tanishëm i policisë – tha Lleshaj – është t’i garantojnë shqiptarëve të kalojnë festa të qeta të fundvitit, e veçanërisht ditën e ndërrimit të vitit ku ka edhe më shumë lëvizje.

Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj pas një takimi që pati në drejtorinë e Policisë së Tiranës me drejtuesin Rebani Jaupi dhe kryepolicin Ardi Veliu, tha se për efektivët e policisë nuk do të ketë festë, por shërbim.

“Policia është angazhuar me prani të shtuar në territor. Fokusi është kufiri, rendi publik, elementët me precedentë penalë, dhe përpjekja për të siguruar qetësinë e festës.

I bëj thirrje qytetarë të intensifikojnë bashkëpunimin me policinë duke informuar për shqetësimet e tyre.

Duhet informuar përmes gjithë kanaleve, përmes 112, komisariatit dixhital, për të garantuar që festat do të zhvillohen në qetësi të plotë. Bashkëpunim, telefonata me policinë e shtetit, dhe të jeni të bindur që policia do të jetë aty ku është e nevojshme. Policia nuk do të ketë festë, por shërbim”, tha ministri i Brendshëm.

Loading...